Goditja ndaj Berishës, reagon Rama: Dënoj pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm, dhunuesi do përballet me forcën e ligjit

6 Dhjetor 2022, 15:39Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha dhe Rama

Kryeministri Edi Rama ka dënuar incidentin e ndodhur sot, ku 31-vjeçari Gerti Shehu goditi me grusht, ish-kryeministrin Sali Berisha para nisjes së protestës.

Kështu thuhet në reagim të Kryeministrisë. Më tej shtohet se dhuna nuk do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje apo shqetësimi dhe kushdo e përdor këtë mjet duhet të përballet me të gjithë forcën e ligjit

"Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dënon pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm e të patolerueshëm të dhunës mbi organizatorin dhe udhëheqësin e protestës së sotme! Dhuna s’ka qenë, s’është e s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje apo shqetësimi dhe kushdo e përdor këtë mjet duhet të përballet me të gjithë forcën e ligjit." thuhet në reagim.

Po ashtu, ka ardhur një reagim edhe nga presidenti Bajram Begaj, i cili dënon ashpër sulmin, duke inkurajuar organet ligjzbatuese për një hetim të plotë dhe zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

Reagimi i Begajt:

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dënon sulmin fizik ndaj z. Sali Berisha.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dënon ashpër sulmin fizik të ndodhur gjatë protestës së sotme të opozitës ndaj z. Sali Berisha, Deputet i Kuvendit, ish-President dhe ish-Kryeministër i Republikës.

Presidenti Begaj i konsideron këto akte të papranueshme dhe që bien ndesh me parimet e demokracisë dhe zhvillimin e protestave paqësore.

Kreu i Shtetit inkurajon autoritetet të hetojnë këtë rast dhune dhe të zbardhin sa më shpejt dinamikat e ngjarjes.

Liria e fjalës dhe tubimeve paqësore janë e drejtë kushtetuese dhe si të tilla duhet të garantohen dhe mbrohen.

Video