Studimi: Ekstremizmi politik në Shqipëri, më shumë shqetësues se sa ai fetar

2 Prill 2024, 18:26Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pamje nga aktiviteti

Në Tiranë, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) publikoi sot një studim, sipas të cilit qytetarët janë më shumë të shqetësuar për ekstremizmin politik se sa për atë fetar.

Nga studimi doli se ekstremizmi fetar është shqetësim për mbi 30 për qind të qytetarëve, ndërsa ai politik për mbi 43 për qind të popullatës.

Mbi 76 për qind e të anketuarve besojnë se aktorët qeverisës në Shqipëri keqpërdorin institucionet dhe burimet shtetërore për interesa të ngushta politike.

Ky Vlerësim Kombëtar mbi Ekstremizmin e Dhunshëm në Shqipëri mbështetur në një pyetësor, i cili iu drejtua rastësisht në terren një mijë e 600 të anketuarve në 61 nga nga 62 bashki të vendit.

Nga studimi doli se mbi 30 për qind e të anketuarve janë të shqetësuar për ekstremizmin fetar në Shqipëri

Vetëm 6.6 për qind e tyre anketuarve pohuan se në zonën ku ata jetojnë ka individë ose grupe, që nxisin ekstremizmin fetar, me sjellje intolerante, islamofobe, apo edhe të feve të tjera.

Afro 37 për qind e të anketuarve besojnë në studim se komuniteti i tyre fetar është i përfaqësuar sa duhet në politikë dhe institucione shtetërore.

Ndërsa mbi 43 për qind e tyre pohuan se në lagjet e tyre ka grupe fetare, që u ofrojnë të mira materiale ose ekonomike praktikantëve të fesë së tyre.

Një gjetje shqetësuese për autorët e studimit lidhet me shifrat se mbi 30 për qind e të anketuarve mendojnë që pasurimi i shpejtë nuk është gabim, ndërsa afro 28 për qind pohuan se e justifikojnë çdo lloj veprimtarie ekonomike, qoftë edhe të paligjshme.

Vetëgjyqësia zë një vend me rëndësi në pohimet e qytetarëve. Mbi 40 e qytetarëve thanë se njerëzit kanë të drejtë të bëjnë vetëgjyqësi, kur u mohohen liritë e të drejtat nga institucionet shtetërore.

Madje mbi 46 për qind besojnë se sistemi politik në Shqipëri është i padrejtë dhe duhet ndryshuar, madje edhe me dhunë po qe nevoja.

Përfshirja ose nxitja e civilëve për t’u përfshirë në konflikte të armatosura cilësohet si një veprim i lejueshëm për 23 për qind të anketuarve.

Më shumë se 47 për qind e të anketuarve nuk besojnë se institucionet shtetërore respektojnë të drejtat dhe liritë e qytetarit.

Një e katërta e tyre u shprehën se çdo qytetar duhet të mbrojë ideologjinë e vet me çdo mjet dhe çmim. Po aq ishin edhe ata që besojnë se është detyrë e çdo besimtari të mbrojë vlerat dhe dinjitetin e vet fetar me çdo mjet dhe çmim.

Por nga ana tjetër, 13.6 për qind pohuan se një besimtar i denjë nuk duhet të denoncojë anëtarët e komunitetit të tij që kanë bindje ekstremiste fetare.

Çereku i qytetarëve të anketuar (26.4%) besojnë se vendet me shumicë të krishterë në Ballkan kanë pasur më shumë mbështetje nga Perëndimi pikërisht për shkak të përkatësisë fetare. Vetëm një pakicë nga 7- 11 për qind mendojnë se në Shqipëri është e vështirë të jesh besimtar mysliman apo i krishterë.

Mbi gjysma e të anketuarve thanë se (54.1%) besojnë që qëndrimet e kreut të komunitetit fetar (në Tiranë) gëzojnë mbështetjen e plotë të besimtarëve të zonës ku jetojnë. Ndërsa

40.5% besojnë se njerëzit kanë të drejtë të ndjekin interpretime fetare jozyrtare nëse nuk pajtohen me bashkësitë përkatëse fetare.

Ndër kërcënimet e reja të ekstremizmit të dhunshëm edhe motivet politike dhe ato etnike-nacionaliste.

Studimi tregon se të anketuarit janë më shumë të shqetësuar për ekstremizmin politik mbi 43 për qind, dhe më pak për ekstremizmin fetar (30 për qind) dhe Akoma më pak atë etno-nacionalist.

Mbi 29.2% e të anketuarve pohuan se në zonën ku ata banojnë, ka politikanë që shprehimisht bëjnë thirrje për dhunë ndaj kundërshtarëve politike.

Sipas studimit, 76.5% e të anketuarve besojnë se aktorët qeverisës në Shqipëri keqpërdorin institucionet dhe burimet shtetërore për interesa të ngushta politike.

Në studim thuhet se 3 në 4 shqiptarë besojnë se disa anëtarë të elitës politike kanë lidhje me kriminelë dhe i shërbejnë interesave të njëri-tjetrit.

Pritshmëria e lartë dhe besimi tek drejtësia shfaqen sërish edhe në këtë studim: mbi 40.9% e të anketuarve besojnë se pandëshkueshmërisë së njerëzve me pozita të larta në Shqipëri gjithnjë e më shumë po i vjen fundi.

Megjithatë mbi 68.1% e të anketuarve pohojnë se në zonën ku ata banojnë, votimi për partinë në pushtet është i domosdoshëm për të mbajtur një vend pune në administratën publike.

Vetëm 35 të anketuar sugjeruan praninë e ekstremizmit etno-nacionalist, të cilin ata e asocionin me raste të diskriminimit racial, etnik ose kombëtar që ata kishin vënë re; si dhe raste të dhunës ose kërcënimeve për shkak të përkatësisë etnike.

Ky është vlerësimi i katërt kombëtar i ekstremizmit të dhunshëm kryer nga IDM gjatë dekadës së fundit.

Autorët besojnë se studimi ka zbuluar dhe trajton çështjeve kyçe dhe sfidave të reja të identifikuara në kohët e tashme, ku mund të bazohen përpjekjet mbi shmangien e këtyre rreziqeve, duke rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e bashkësive qytetare./VOA

Video