Mandati i Olta Xhaçkës mbetet në “ajër”, kush po e mban PENG dhe si do votojë PS?

2 Prill 2024, 12:46Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Olta Xhaçka, deputete e Partisë Socialiste

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, disa ditë më parë tha se moszbatimin i vendimit për mandatin e ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka (aktualisht deputete), është një situatë e pazakontë dhe e pamundur të ndodhë në një shtet demokratik.

Ndër të tjera, Zaçaj në një intervistë për Zërin e Amerikës vuri theksin se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet.

Përgjigja e Bledi Çuçit duke ja vendosur fajin opozitës

Kreu i Grupit Parlametar të PS-së, Bledi Çuçi në një deklaratë për mediat është shprehur se nuk është e vërtetë që s’është zbatuar vendimi i Kushtetueses lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës.

Bledi Çuçi u shpreh se Këshilli i Mandateve nuk është mbledhur për shkak të protestave të opozitës.

“4 muaj kanë qenë tym e flakë, po të mblidhej Këshilli i Mandateve dhe Rregullores, do të thonin e morën në mënyrë të njëanshme”, u shpreh Çuçi duke paralajmëruar se shumë shpejt do të ketë një vendimmarrje.

Si do ta votojë Partia Socialiste vendimin për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës?

Bledi Çuçi: Do ta shikoni kur të mblidhet Këshilli i Mandateve.

Vendimi i gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese në janar 2023 shfuqizoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të bllokuar dërgimin për interpretim në këtë gjykatë të mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.

Mandati në zyrën e kryetares së parlamentit

Çështja e mandatit të Xhaçkës mbahet në zyrën e Nikollës, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshëm parlamentare që do të ndjekë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi një raport ku i sugjeronte asaj rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

Pavarësisht pretendimeve që vijnë nga Kuvendi, duket se kjo është një çështje që varet nga vullneti politik i mazhorancës, pasi kryeministri Edi Rama e quajti të paqartë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

SPAK dhe burri si investitor strategjik

Mandati i Xhaçkës është vënë në pikëpyetje për shkak të përfitimit të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi të statusit të investitorit strategjik për një hotel në Dhërmi si dhe lejen për shfrytëzimin e brigjeve përpara hotelit.

Ndërkohë SPAK, ka vendosur masën e sekuestros preventive mbi një sipërfaqe toke prej 5512 m2 në pronësi të Gaçit në bregdet, pasi dyshohet se u përfitua përmes dokumenteve të falsifikuara./VoxNews

Video