Rindërtimi, Ahmetaj heq dorë nga afatet. Tani flet për ‘proces në përfundim’

18 May 2022, 17:36Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rindërtimi, Ahmetaj heq dorë nga afatet. Tani flet për
Rindërtimi, Ahmetaj heq dorë nga afatet

Një muaj nga djegia e afatit të premtimit që bënte para zgjedhjeve të vitit të kaluar, Arben Ahmetaj doli sërish të flasë për procesin e rindërtimit. Këtë herë, zv.Kryeministri nuk dha afate konkrete, por foli për ‘proces në përfundim’.

Zv.Kryeministri tha këtë të mërkurë se procesi ishte drejt përfundimit, ndërsa vonesat ja faturoi faktorëve që nuk varen nga Qeveria.

“Rindërtimi është duke përfunduar kudo, me përjashtim të zonës së Kombinatit dhe të 5 Majit në Tiranë ku ka vonesa për shkaqe gjyqesh”, tha ai.

Po është e vërtetë që rindërtimi në Kombinat dhe në zonën e 5 Majit është penguar për shkak të rezistencës së disa banorëve, që kanë akuzuar se po u shemben banesat pa marrë shpërblimin që u takon.

Por e vërteta e madhe e gjithë procesit të rindërtimit është krejt tjetër. Zona e plazhit në Durrës është ndër më të goditurat në vend. Në zonën e Plazhit në Durrës janë disa godina të dëmtuara rëndë nga tërmeti që presion shembjen dhe rindërtimin e tyre.

Ahmetaj nuk foli për këto godina, as për faktin që disa godina të tjera në Shijak, Kavajë dhe zona të tjera të Durrësit ende nuk janë përmbyllur plotësisht dhe banorët nuk kanë hyrë brenda.

Diku kantieret janë të hapura, siç thotë edhe zv.kryeministri ‘në përfundim të punës’, por e gjithë zona e Plazhit në Durrës ja rrëzon poshtë Ahmetajt alibinë e vonesave për shkak të gjykatave.

Kjo është njëra anë, për të mos u ndalur gjatë te ana tjetër gjithë rindërtimit, që ka marrë miliona euro nga buxheti dhe në formë donacionesh, për të cilat transparenca dhe llogaridhënia është pothuajse zero.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video