Rama shuan ëndrrën e Belës për Bashkinë e Tiranës, e çon në Dibër

18 May 2022, 17:35Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama shuan ëndrrën e Belës për Bashkinë e Tiranës,
Edi Rama dhe Belinda Balluku

Para se të përfshihej në kabinetin qeveritar nga Edi Rama në 2019-n është përfolur se ambicia e Belinda Ballukut ishte Bashkia e Tiranës.

Për dy vite, Belinda e la në sirtar këtë ëndërr, për ta ringjallur pas zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar. Vota vetjake që mori në ato zgjedhje ia shtoi oreksin dhe ambicien.

Megjithatë, një vit pas këtyre zgjedhjeve, Edi Rama ia shuan këtë ëndërr, përmes disa lëvizjeve në rangun e drejtuesve të qarkut.

Kalimi i Ulsi Manjës la pa drejtues qarkun e Dibrës. Mes dhjetëra kandidaturave e figurave që PS ka në gjirin e vet, Rama përzgjodhi Belinda Ballukun. Por, asgjë s’e lidh ministren me Dibrën përveç Rrugës së Arbrit, që si ministre përgjegjëse për infrastrukturën ka për detyrë që ta supervizojë.

‘Bela’, që për zgjedhjet e 25 prillit në Tiranë u angazhua në zonën e Kombinatit, tashmë duhet të udhëtojë disa kilometra për të drejtuar një qark plotësisht të huaj për të, ku e vetmja përvojë që ka është fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të këtij viti.

Kjo nuk do të thotë se me këtë zhvendosje strukturat e PS-së në Dibër nuk do të funksionojnë. Ato Belinda Balluku do t’i gjejë të ngritura dhe për t’i dhënë hakun edhe falë Ulsi Manjës. Por, lëvizja më shumë se sa për partinë është diktuar nga kulisat brenda socialistëve.

Përveç kësaj, po kjo lëvizje shuan ëndrrën dhe ambicien, ndoshta përkohësisht të Belinda Ballukut për t’u katapultuar në krye të bashkisë së kryeqytetit.

Zgjedhjet vendore janë vitin e ardhshëm dhe koha duket e pamjaftueshme që Balluku t’i ndryshojë mendim Ramës dhe ta rikthejë në kryeqytet.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video