Rama shkarkon me ceremoni Tigrin nga Vlora

27 September 2022, 19:42Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama shkarkon me ceremoni Tigrin nga Vlora
Edi Rama dhe Arben Ahmetaj

Arben Ahmetaj mbylli me bujë dhe pa shumë punë aventurën në krye të Partisë Socialiste të Vlorës, posti i fundit i rëndësishëm që i kishte ngelur pasi u largua me ceremoni nga kabineti qeveritar.

Edhe largimi nga drejtimi i PS-së së Vlorës ishte po aq ‘ceremonial’.

Rama nuk përmendi emra dhe i cilësoi ndryshimet si organizative pa ndonjë peshë të madhe. Por, e vërteta se koha e këtyre ndryshimeve pak muaj para zgjedhjeve merr një peshë të madhe.

"Ndryshime të natyrës organizative që nuk kanë ndonjë peshë, nuk janë ndryshime qeverie, të gjithë kanë detyrat dhe ndryshimi i pozicioneve në kushtet kur jemi drejt një fushate zgjedhore, s’ka asgjë të re. Nuk ka asnjë rëndësi që të hyjmë në emra të gjithë jemi shërbëtor, ku secili ka rolin e tij, kjo është një skuadër ku ka role të ndryshme dhe secili bën rolin e tij”, tha Rama.

Blendi Klosi do të marrë drejtimin e Vlorës, ku siç Voxnews ka raportuar më herët ka një përçarje të thellë të strukturave, përçarje e nxitur prej drejtimit ‘intrigant’ të Arben Ahmetajt, siç pohojnë burimet.

Voxnews ka raportuar se pas largimit nga Qeveria në të njëjtën kohë që Ilir Meta përfundonte mandatin e Presidentit, Arben Ahmetaj i kishte të numëruara edhe ditët në krye të PS-së së Vlorës. Aq e thellë ishte përçarja e mbjellë prej tij në këtë qark, sa as vetë deputetët socialistë me njëri-tjetrin nuk kishin komunikim normal.

Situata e krijuar e bënte të pashmangshëm largimin e tij para zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm.

Vendimi i fundit i Ramës është fundi pa lavdi i njeriut që prej 2016-s dhe sidomos në mandatin e dytë qeverisës ka qenë për një kohë të gjatë krahu i djathtë i Kryeministrit, që iu besua procesi i rindërtimit e deri te sigurimi i vaksinave anti-Covid.

Ndryshime ka patur dhe në Qarkun e Shkodrës, ku drejtimi i kryeqendrës së Veriut i është besuar Elisa Spiropalit në vend të Edona Bilalit, për shkak se kjo e fundit shtë në pritje të ëmbël dhe PS-së i nevojiten shumë energji që në zgjedhjet vendore të luftojë për bastionin e vetëm që i ka mbetur demokratëve.

Po ashtu edhe Pandeli Majko ka marrë një detyrë të re pasi është emëruar drejtues i Qarkut të Kukësit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video