
Kryeministri Edi Rama e nisi daljen me një deklaratë për të njoftuar paketën e rezistencës sociale, siç e quan ai, duke thënë se Shqipëria është i vetmi vend i NATO-s dhe në Europë ku po protestohet për rritjen e çmimeve nga lufta në Ukrainë.
“Jemi i vetmi vend i NATO-s dhe Europës që protestojmë kundër pasojave të luftës. Kërcimi i çmimeve është pasojë e luftës, të tjerë mashtrojnë”, tha Rama.
Sipas Ramës, protesta po prishin imazhin e vendit.
“Ta zhgarravisësh imazhin e vendit sot në sytë e të gjithë botës, duhet të mos kesh as minimumin jetik të moralit dhe të ndërgjegjes së kombit”, shtoi ai.
Rama u shpreh se qeveria ka bërë shumë për të mbrojtur qytetarët dhe këtë e tregon, sipas tij, fatura e energjisë elektrike.
“Prej muajsh fatura e energjisë paguhet bashkë me qeverinë, qeveria paguan thuajse 80 për qind të faturës së energjisë në çdo familje shqiptare dhe në çdo biznes të vogël. Këtë nuk e ka bërë asnjë qeveri tjetër, jo në këtë kontinet ku jetojmë ne. Ne u zotuam që nuk do ta rrisim çmimin”, u shpreh ai.