Nga Ulsi Manja, Ervin Hoxha, Arbjan Mazniku e deri te Bora Muzhaqi, 8 emrat që kryeministri Rama i largoi nga qeveria

11 Shtator 2025, 15:23Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ulsi Manja dhe Edi Rama

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot ndryshimet në qeverinë e tij të katërt, ndërsa largoi plot 8 ministra.

Shefi i qeverisë propozoi Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës, e cila deri më tani mbante rolin e ministres së Arsimit.

Igli Hasani do të largohet nga drejtimi i Ministrisë së Jashtme, megjithatë do të vijojë të drejtojë një komision në parlament për çështjet që kanë të bëjnë me Europën dhe punët e jashtme.

Ulsi Manja gjithashtu nuk do të jetë më ministër i Drejtësisë. Ai u zëvendësua nga Besfort Lamallari. Megjithatë Rama tha se atij do t’i besohet Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.

Edhe Taulant Balla nuk do të jetë më ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit, por do të vijojë të mbajë një rol të rëndësishëm në Kuvend si kryetar i grupit parlamentar të PS-së.

Arbjan Mazniku u zëvendësua nga Ervin Demo si ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor. Rama paralajmëroi se ai do të jetë në krye të Reformës Territoriale 2.0.

Rama hoqi nga detyrat e ministrave edhe Ervin Hoxhën, Anila Denajn dhe Bora Muzhaqin, përkatësisht nga ministria e Brendshme, ajo e Bujqësisë dhe e Rinisë.


Video