Në një hap inovativ dhe të papritur për administratën publike shqiptare, kryeministri Edi Rama prezantoi sot ministren më të re të kabinetit qeveritar – Diella, anëtarja e parë virtuale e qeverisë.
Me një mandat të posaçëm dhe një strukturë të adaptuar për sfidat e epokës digjitale, Diella do të marrë drejtimin e Prokurimeve Publike në mandatin e katërt qeverisës.
“Ministre e re, Diella, me vulë digjitale që ajo u ka dhënë qytetarëve digjitalë vulat këto vite. Diella, anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar, do ketë një strukturë të adaptuar dhe një mandat të posaçëm për të shembur frikërat, barrierat dhe ngushtësitë e administratës”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij.
Emërimi i Diellës vjen si pjesë e një përpjekjeje për të futur teknologjinë dhe inteligjencën artificiale më thellë në funksionimin e shtetit, duke thyer kufijtë tradicionalë të burokracisë dhe duke rritur transparencën në një sektor delikat siç janë prokurimet publike.