Gazetari Artan Hoxha ka ironizuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama, në reagimin e tij të parë publik që pas urdhrit të SPAK për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë së tij, Arben Ahmetaj.
Hoxha thotë se Rama u shfaq si rrallëherë serioz dhe pa prezencën e gazetarëve, për të shmangur pyetjet e sikletshme.
Sipas tij, “loja” brenda socialistëve ka marrë një tjetër dimension, dhe pa Ahmetajn, ruajtja e balancave do të jetë edhe më e vështirë.
Në fund, Hoxha i bën thirrje Ahmetajt, të mos dorëzohet, duke rezistuar qoftë edhe “si lepur”.
Komenti i plotë i gazetarit:
Sa herë që Padishaut i mbahet fryma, kur lexon deklarata të shkruajtura më parë dhe nuk lejon prezencën e gazetarëve për t’iu shmangur pyetjeve të sikletshme, atmosfera rrotull tij është bërë mbytëse…
Edhe pse është zhegu i meskorrikut, Padishau, si rrallherë, u shfaq serioz, i veshur me kostum për stinët më të freskëta të vitit dhe i mbërthyer deri në fyt me gravatë pa gjallesa ekzotike shumëngjyrëshe.
Dihatja e thellë gjatë leximit të deklaratës dhe vështiresia në frymarrje, tregonin qartë se loja tashmë ka marrë një dimension të ri…
Me ish-krahun e djathtë jashtë qelive të burgut dhe larg kontrollit të tij, do të jetë më e vështirë të ruajë ballancat, tashmë të zhballancuara të lukunisë së hienave që ka pas…
Mbahu “tigër”, mos u dorëzo…
Rezisto, qoftë dhe si “lepur”…
“Pemtoret me dardha” të pushtetit, nuk i rrezikojnë ulërimat e “tigrit”, por brejtjet e lëvoreve të pemëve nga “lepujt”…