"Gërdeci"/ Mediu: Gjykata e Posaçme lejon zhvillimin e një procesi absolutisht të paflevshëm, të gjykuar dhe të parashkruar!

7 Mars 2026, 13:45Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fatmir Mediu

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka folur sot në një konferencë për mediat lidhur me procesin gjyqësor ndaj tij për çështjen e Gërdecit, duke e cilësuar atë një sajesë politike që, sipas tij, përpiqet të luajë me tragjedinë.

Mediu u shpreh se që në fillim të ngjarjes kishte dhënë dorëheqjen si pjesë e përgjegjësisë morale dhe kishte dorëzuar imunitetin për t’i hapur rrugë hetimeve të drejtësisë.

Sipas tij, vetë prokuroria ka provuar në mënyrë përfundimtare se ai nuk ka qenë i përfshirë në asnjë akt korrupsioni dhe për këtë arsye nuk po gjykohet për një vepër të tillë, por për shpërdorim detyre.

“Prokuroria më ka akuzuar dhe nuk po gjykohem për korrupsion, por për shpërdorim detyre. Në provat shkresore të paraqitura nga vetë SPAK në gjykatë është deklaruar qartë se nuk ekziston asnjë lidhje apo transaksion dhe përfitim i Fatmir Mediut nga kompania SAK apo firma Albademil. Po ashtu, gjykata dhe prokuroria, në datën 6.04.2023, kanë marrë vendimin në këtë proces se akuza ndaj meje nuk ka asnjë lidhje me shpërthimin në Gërdec dhe pasojat e tij”, deklaroi ai.

Sipas Mediut, akuza për shpërdorim detyre për të cilën po gjykohet lidhet vetëm me çështje teknike ushtarake, si klasifikimi i kalibrave, transporti i municioneve dhe çështje sigurie, dhe jo me funksionet e ministrit të Mbrojtjes.

Mediu: Në vijim të procesit penal që po zhvillohet në ngarkimin tim, e konsideroj të domosdoshme të sqaroj disa elementë thelbësorë për opinionin publik.

Së pari, dua të theksoj qartë se nuk jam akuzuar asnjëherë për korrupsion dhe nuk jam akuzuar si përgjegjës për viktimat apo dëmet në njerëz dhe pasuri të shkaktuara nga shpërthimi tragjik i Gërdecit më 15 mars 2008. Kjo është një e vërtetë juridike që rezulton nga vetë aktet e prokurorisë, si në hetimet e para të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme, ashtu edhe në akuzën e ngritur sot nga SPAK.

Akuza e vetme ndaj meje lidhet me pretendimin për mos-përmbushje ose shpërdorim detyre. Megjithatë, në asnjë moment të këtij procesi nuk është përcaktuar konkretisht se cilën detyrë ligjore kam shkelur, apo cilin ligj, vendim të Këshillit të Ministrave apo akt tjetër normativ që më ngarkonte një detyrim të caktuar kam shkelur. Në asnjë nga aktet e akuzës nuk identifikohet një detyrë konkrete ligjore që unë ta kem shkelur apo mos përmbushur.

Përkundrazi, edhe nga vetë hetimet rezulton se përgjegjësitë administrative dhe teknike për aktivitetet që lidhen me procesin e demontimit të municioneve i përkisnin strukturave të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, të cilat kishin kompetencat përkatëse institucionale për këtë aktivitet.

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se vetë prokuroria, dje dhe SPAK sot, nuk më kanë akuzuar kurrë për korrupsion dhe as si shkaktar apo përgjegjës për viktimat dhe dëmet pasurore të shkaktuara nga shpërthimi i Gërdecit.

Hetimi ndaj meje ka qenë i plotë dhe i gjithanshëm. Për gati 18 vite janë kryer verifikime të gjera dhe në të gjitha drejtimet, një hetim i plotë “360 gradë”, i cili në thelb ka konfirmuar pikërisht këtë realitet: se ndaj meje nuk ekziston asnjë provë për korrupsion dhe asnjë përgjegjësi për pasojat tragjike të shpërthimit të Gërdecit.

Në të njëjtën kohë, dua të theksoj se ky proces nuk duhej të riniste dhe nuk duhet të vazhdojë. Moskonsiderimi i institutit të parashkrimit të ndjekjes penale, si nga SPAK ashtu edhe nga Gjykata e Posaçme, përbën një shkelje të rëndë të ligjit dhe cenon drejtpërdrejt parimet themelore të shtetit të së drejtës, si dhe liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Parashkrimi është një garanci ligjore e vendosur pikërisht për të mbrojtur sigurinë juridike dhe për të parandaluar ndjekje penale të pakufizuara në kohë.

Megjithatë, pavarësisht se procesi ka qenë i shoqëruar me probleme serioze proceduriale dhe materiale, unë kam respektuar dhe do të vazhdoj të respektoj institucionet dhe 

zhvillimin e procesit gjyqësor, duke besuar se e vërteta juridike do të dalë në pah në mënyrë të plotë.

Në këtë moment dua gjithashtu të shpreh edhe një herë keqardhjen dhe dhimbjen time të thellë për të gjithë familjet dhe qytetarët që kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë pasojat e tragjedisë së Gërdecit. Ajo është një ngjarje e rëndë për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe plagët e saj janë ende të hapura.

Por është po aq e rëndësishme të thuhet qartë se unë nuk jam shkaktari dhe nuk jam përgjegjësi për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga ajo tragjedi. E vërteta juridike e këtij procesi nuk mund të ndërtohet mbi perceptime apo interpretime politike, por vetëm mbi ligjin dhe mbi provat.

Unë mbetem i bindur se drejtësia, në fund, do të vendosë mbi bazën e ligjit dhe të fakteve dhe jo mbi bazë të opinioneve, pëlqimeve, apo mospëlqimeve politike, apo imponuar nga presione të interesave të ndryshme, jo ligjore.


Video