Integrimi në BE/ Fate Velaj për revistën austriake: 90% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin!

7 Mars 2026, 10:42Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fate Velaj

Revista prestigjioze “Cercle Diplomatique”, e cila botohet në 40,000 kopje dhe shpërndahet gjerësisht në institucionet kryesore shtetërore të Austrisë përfshirë Presidencën Federale, Parlamentin, Kancelarinë Federale, ministritë, qeveritë vendore dhe bashkitë si dhe në trupin diplomatik, organizatat ndërkombëtare, institucionet e Bashkimit Europian si Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian, universitete e shkolla të larta, kompani austriake dhe ndërkombëtare etj., i ka kushtuar tetë faqe Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Austri, z. Fate Velaj.

Nën titullin: “90% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian”,
artikulli përfshin një intervistë të gjerë të Ambasadorit Velaj mbi zhvillimet europiane të Shqipërisë dhe progresin e vendit në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Në këtë intervistë theksohen arritjet e Shqipërisë të bazuara në meritë, vizion dhe përparësi të qeverisë shqiptare në rrugën drejt anëtarësimit në BE, si dhe mbështetja e qëndrueshme dhe e gjerë e qytetarëve shqiptarë për këtë objektiv strategjik.

Artikulli trajton gjithashtu dimensione të rëndësishme të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, duke evidentuar veçanërisht potencialin dhe zhvillimet në fusha me rëndësi të veçantë, si turizmi dhe arsimi, si faktorë të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve me partnerët europianë.

Artikulli shoqërohet edhe me fotografi nga Shqipëria, të cilat paraqesin sektorë të ndryshëm të zhvillimit të vendit.

Në artikull është botuar gjithashtu një fragment nga romani “Die Hauptstadt” (Kryeqyteti) i shkrimtarit të njohur austriak Robert Menasse, kushtuar Shqipërisë. Ky autor është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare letrare.



Video