Desada Metaj i përgjigjet Berishës: Ka dobësi të madhe për zëdhënëset e veta (Foto)

22 February 2022, 09:49Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Desada Metaj i përgjigjet Berishës: Ka dobësi të madhe
Desada Metaj, Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Gazetarja Desada Metaj dhe anëtarja e AMA-s i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha se zgjedhja e saj në AMA ka ardhur pasi ishte zëdhënësja e Lulzim Bashës.

Me anë të një postimi në Facebook, Metaj shkruan se Berisha informacionet duhet t’i kishte më të sakta për zëdhënëset, pasi ka dhe dobësi për to.

 “Nuk kam patur kurrë dyshime për koherencën e munguar politike të Sali Berishës, por kam shpresuar gjithmonë se të paktën informacionet për zëdhënëset do t’i kishte të sakta. Duke u nisur dhe nga dobësia që ka për to!” shkruan jo pa ironi Desada Metaj në statusin e saj.

Në seancën plenare të së enjtes, Kuvendi votoi 6 emrat e përzgjedhur nga Komisioni I Medias për vendet vakante në AMA. Anëtarët e rinj të bordit të AMA-s janë Aurela Bicja, Besjan Zogaj, Desada Metaj, Gjergj Hamiti, Jetmir Halilaj dhe Joana Allushi, të votuar në seancën e së enjtes me mbi 3/5 e votave të parlamentit.

Kandidatët u përzgjodhën me një formulë, ku secila palë politike kishte të drejtë të ruante preferencat e veta, duke skualifikuar emrat e tjerë në listë. Përzgjedhja u bë gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura në komisionin e Medias më herët këtë javë.

AMA ishte që prej vitit 2019 me 3 vakanca, ndërsa 3 të tjera u krijuan në vitin 2021. Disa përpjekje të shumicës për të plotësuar ato gjatë legjislaturës së kaluar pa praninë e opozitës zyrtare dështuan, ndërsa u akuzuan si përpjekje për marrje kontrolli të institucionit.

“Po ndiqja me shumë vëmendje zhvillimet në komisionin e inceneratorëve kur më thanë se Sali Berisha paska deklaruar se zgjedhja ime në bordin e AMA-s qënka tregues i bashkëqeverisjes, meqë aty drejton ish zëdhënësja e Ramës dhe unë (sipas tij) zëdhënëse e Bashës. Pozicion të cilin se kam patur kurrë në PD. Pas 22 vitesh në gazetarinë aktive kam drejtuar komunikimin e fushatës elektorale të PD për zgjedhjet e 25 prillit.

Kur PD mori vendim për t’u larguar nga çdo institucion, përfshirë parlamentin dhe bashkitë, ajo kishte përfaqësuesit e saj në AMA të bekuar dhe nga Sali Berisha. Ata nuk e braktisën vendin në bord, duke qenë i vetmi institucion që kishte përfaqësues të PD. Tani që dhe vetë Berisha është rikthyer në parlament dhe opozita sërish ka përfaqësuesit e saj në AMA, unë përfaqësokam bashkëqeverisjen” shkruan Desada Metaj.

Desada Metaj i përgjigjet Berishës: Ka dobësi të madhe


Video