Basha: 'Trekëndëshi i Bermudës' ka frikë nga SPAK, ne e mbështesim pa kushte

11 Shkurt 2024, 13:58Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kreu i PD, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur turin në të gjitha degët e partisë, ku po mbahen zgjedhjet.

Kësaj radhe Basha është ndalur në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD, Dimal, nga ku nuk kaloi pa komentuar edhe situatën brenda Partisë Demokratike.

Basha tha se tashmë PD ka arsye ta mbaj kokën lart, pasi tregoi që nuk është kult e klan, por një parti e bashkuar rreth vlerave që është gati të përballet me sfidat e radhës, siç janë zgjedhjet e parlamentare të 2025-ës.

“Dhe kjo është një rrugë pa kthim së bashku me rrugën e Shqipërisë europiane. E kanë vonuar boll, por nuk e ndalin dot. Rruga e Shqipërisë europiane kalon midis disa parimeve bazë, që të arrijmë mirëqenien e shoqërive europiane drejt të cilave sulen mjerisht të rinjtë shqiptarë duke braktisur familjet e tyre.

Që të arrijmë mundësitë për të ndërtuar një jetë të suksesshme, me prosperitet, me të ardhura të mjaftueshme për shqiptarët, duhet patjetër t'i përmbahemi standardeve minimale që i përmbahet çdo shoqëri europiane, nga themeluesit e BE, e deri tek anëtarët më të rinj si Rumania dhe Kroacia. Standardi i parë, barazi para ligjit. Nuk ka shoqëri bashkëkohore, demokratike me pabarazi para ligjit. Nuk ka shoqëri ku ligji t'i trajtojë shumicën dërrmuese të shoqërisë si të njerkës dhe të pakicës si të nënës. Nuk ka shoqëri ku qytetarët e palodhshëm të përballen me haraç, me kërbaç, me gjoba, me abuzivizëm por dhe me ndëshkime ligjore në shkelje të ligjit, por shkelësit më të mëdhenj të ligjit të lartësohen dhe të mbrohen me imunitete, me salltanete, me presione të tipit të organizatave kriminale.

Ndaj fundi i pandëshkueshmërisë është fillimi i Shqipërisë europiane. Kjo është arsyeja pse PD e ka thelbësore në vizionin e vet mbështetjen ndaj Reformës në Drejtësi dhe ndaj SPAK. Padiskutim pritshmëritë ndaj SPAK janë të larta. Unë e di që pritshmëritë e shqiptarëve janë shumë më të larta sesa ç'është bërë deri më tani dhe shpresoj dhe jam i bindur që këtë pritshmëri e njohin edhe prokurorët, hetuesit dhe gjyqtarët me integritet të SPAK.

Detyra jonë është ta mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat politikishe dhënies fund të pandëshkueshmërisë. Dhe kjo është arsyeja se pse PD është sot e vetmja parti politike në Shqipëri që e thotë me zë të lartë, me ballin lartë, hapur, që mbështet pa kushte punën e SPAK”, tha Basha.

Video