
Fotografja dhe artisja vizuale Blerta Kambo është shpallur finaliste për Circa Prize, një çmim prestigjioz i arteve bashkohore për artistët e rinj, e organizuar nga Circa Art (Instituti Kulturor i Arteve Radikale Bashkëkohore) në Britaninë e Madhe.
Blerta është përzgjedhur nga një grup kuratorësh, së bashku me 29 artistë të tjerë, si finaliste, në një konkurs të hapur me pjesmarrje nga e gjithë bota. Kjo është hera e parë që një shqiptare është finaliste për Circa Prize.
Video e saj “Gur i rëndë”/“Heavy Stone”, u shfaq me 3 shtator në ekranet e mëdha të Sheshit Picadilly Circus, në Londër. Po ashtu video u shfaq në Berlin dhe në Milano, në të njëjtën orë lokale 20:23.
Video e Blertës trajton në mënyre poetike si videoart, temën e emigrimit.
Konkurrohet për dy çmime, një të vendosur nga juria (e cila përbëhet nga disa prej emrave më të afirmuar të artit bashkëkohor) dhe një votë e publikut.
Ju mund të shihni dhe të votoni për Blerta Kambon në linkun e mëposhtëm:
https://circa.art/circa-prize-2023/blerta-kambo/