Stano: Qëndrimi i BE-së është i qartë, të dielën u krye sulm terrorist në Kosovë

28 Shtator 2023, 15:48Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano deklaroi sot se qëndrimi i BE-së është se ajo që ndodhi në Banjskë të Kosovës është një akt terrorist dhe tregoi se të gjithë ata që janë përgjegjës për atë sulm duhet të sillen para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi për të.

“Duhet të jemi të sigurt që është hetuar plotësisht dhe jo vetëm ata që kanë kryer sulmin, por edhe ata që kanë marrë pjesë në çfarëdo mënyre tjetër duhet të mbajnë përgjegjësi. Duhet të jemi të sigurt që drejtësia të arrihet për ata që planifikuan, e realizuan dhe ata që qëndrojnë pas gjithë kësaj. Ky është qëndrimi i BE-së që është përsëritur disa herë”, tha Stano një konferencë për shtyp.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për gazetarët se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.

Ai shtoi se në zyrat e BE-së në Prishtinë flamuri u ul në gjysmështizë të hënën - pasi në Kosovë ishte ditë zie – për të nderuar policin e vrarë të Kosovës, Afrim Bunjaku, por nuk ka vepruar kështu kur në Serbi u shpall ditë zie.

“Kemi parë se Serbia dje ka shpallur ditë zie. Të hënën zyra e BE-së në Prishtinë vendosi flamurin në gjysmështizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur, viktima të sulmit qyqar terrorist të dielën. Qëndrimi ynë është i qartë dhe ai është shprehur nga përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit kurrë nuk mund të barazohen me viktimat. Prandaj, delegacioni i BE-së në Serbi nuk e ka vendosur flamurin në gjysmështizë. Në përgjithësi, BE-ja është fundamentalisht kundër madhërimit të kriminelëve dhe terroristëve dhe kundër mbajtjes së zisë për ta”, tha Stano.

Stano theksoi se BE-ja nuk do të komentojë çdo ditë deklaratat dhe vërejtjet e të gjithëve nga rajoni.

“BE-ja ishte e qartë në të gjitha deklaratat dhe në deklaratën e përfaqësuesit të lartë, deklaratën e përbashkët të anëtarëve të Unionit, anëtarëve individualë, se cilat janë pritjet e Unionit – të dyja palëve iu tha se çfarë duhet bërë menjëherë, sepse ajo që ndodhi të dielën është shumë e rëndë, por mënyra se si funksionon BE-ja nuk është të komentojë çdo vërejtje dhe lëvizje të vetme në zhvillimin e ngjarjeve pas asaj që ndodhi të dielën”, tha ai.

Stano përsëriti se Bashkimi Europian nuk angazhohet përmes publikut dhe medias.

“Nëse kemi diçka për t’u thënë partnerëve, ne ua themi drejtpërdrejt. Këtë presim nga të tjerët, duke përfshirë interpretimin e marrëveshjes apo mënyrën e zhvillimit të hetimit. Ne nuk do të përfshihemi në hetim përmes publikut dhe mediave që është e papërgjegjshme dhe nuk mund të ndihmojë hetimin. Duhet të zbulohet se çfarë ka ndodhur, të ndëshkohen ata që janë përgjegjës”, thekson ai.

BE-ja është e përfshirë në masë të madhe në hetim, tha më tej Stano dhe shtoi se “bashkëpunojnë me partnerët në rajon si dhe me partnerët ndërkombëtarë”.

Video