Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) duhet të marrin rolin udhëheqës të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që aktualisht ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Unë prej fillimit e kam thënë që nuk shoh sukses pa involvimin direkt dhe rolin e lidershipit të SHBA-ve në këtë proces. Këtë e dëshmon edhe historia – në çdo proces në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht sa i përket sukseseve të Kosovës – nëqoftëse SHBA-të nuk e marrin rolin udhëheqës, atëherë është problem që të kemi sukses në të ardhmen”.
Osmani paralajmëron masa kundër Listës Serbe
Osmani ka thënë se autoritetet kosovare janë duke punuar drejt ndërmarrjes së masave sanksionuese ndaj Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve – në përputhje me ligjet që parashihen me Kushtetutën e Kosovës.
“Ne si institucione jemi duke bërë të gjitha analizat e nevojshme ligjore, do të kemi një takim të përbashkët edhe me kryeministrin, kryetarin e kuvendit dhe zëvendëskryeministren për t’i diskutuar këto çështje gjatë orëve në vijim dhe natyrisht gjithçka që parashihet me ligj do të jenë masa që do të ndërmerren”, ka theksuar presidentja Osmani.
Në vend që të luftojë për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, ka shtuar presidentja Osmani, ky subjekt politik është shndërruar në mjet në duart e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili, sipas shefes së shtetit kosovar, është duke realizuar planet e presidentit rus, Vladimir Putin, për të destabilizuar rajonin.