
Rusët zotërojnë, ose bashkëzotërojnë rreth 19 mijë prona, të barabarta me katër milionë metër/katrorë në Mal të Zi.
Pjesa më e madhe e tyre, 98 për qind janë prona të vendosura në zonat bregdetare, shumica në Budva dhe Tivar, sipas mediave malazezë.
Bloomberg thotë se këto shifra pasqyrohen edhe në një dokument të Komisionit Europian, si pjesë e një dosjeje më të gjerë që synon bllokimin e pronave të rusëve në vendet e BE dhe ato kandidate.
Dokumenti thotë se të gjitha asetet e rusëve duhet të bllokohen, me përjashtim nëse zotëruesit e tyre kanë shtetësi, ose leje qëndrimi në BE dhe Zvicër.
Për të tjerët, KE do të bllokojë transaksionet me pronat e tyre, duke ndaluar shitjen, apo transferimin direkt, apo indirekt.
Vlera e saktë e pronave të rusëve në Mal të Zi nuk dihet, por ajo përllogaritet në miliarda euro. Vetëm në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar, rusët investuan 13 mln euro në prona të patundshme në brigjet malazeze, sipas të dhënave të Bankës Qendrore në Podgoricë.