Shefi i shërbimit kombëtar sekret të Greqisë(EYP) Panagiotis Kontoleon, ka dhënë dorëheqjen.
I emëruar në gusht të vitit 2019, ai largohet në dritën e informacioneve se shërbimi ka përgjuar telefonin e një gazetari të CNN Greece. Në detyrën e tij vjen sekretari i Ministrisë së Jashtëm Themistoklis Demiris.
Gazeta greke “Kathimerini” vë në dukje se largimi i Kontoleon vjen paralel me largimin e ndihmësit të afërt të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, Grigoris Dimitriadis, për të cilin u tha se largohet “për shkak të klimës toksike të krijuar rreth personit tim”.
Qeveria ka hedhur poshtë megjithatë se largimet lidhen me përgjimin e gazetarit të CNN dhe kreut të PASOK-ut, Nikos Androulakis.
Në fillim të kësaj jave, dy ligjvënës që folën për Reuters në kushte anonimiteti thanë se Kontoleon kishte pranuar gjatë një komisioni parlamentar më 29 korrik se shërbimi i tij kishte spiunuar Thanasis Koukakis, një gazetar financiar që punon për CNN Greece.
Seanca dëgjimore me dyer të mbyllura u thirr pasi kreu i partisë opozitare socialiste PASOK, Nikos Androulakis, paraqiti një ankesë te prokurorët e lartë të gjykatës për një tentativë përgjimi të telefonit të tij celular me spyware Predator.
Androulakis, i cili është gjithashtu anëtar i Parlamentit Evropian, tha se u bë i vetëdijshëm për përpjekjen pasi u informua nga shërbimi i sigurisë kibernetike të Parlamentit Evropian disa ditë përpara se të paraqiste ankesën e tij më 26 korrik.