
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka reaguar në një deklaratë për media pas problemeve të uebfaqes me përditësimin e rezultateve të zgjedhjes.
KQZ është shprehur se problemet me uebfaqen nuk e kanë ndikuar rezultatin real të zgjedhjeve, duke theksuar se vota e qytetarëve është e sigurt dhe nuk preket.
Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi është shprehur se numërimi, dhe përditësimi i të dhënave do të bëhet në vijim në mënyrë manuale.
“Në këto rrethana KQZ-ja ka shqyrtuar situatën dhe ka vendosur që të mbledh të dhënat në mënyrë manuale nga të gjitha vendvotimet përmes formularëve të rezultateve për subjektet politike, që tashmë janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, tha Radoniqi.
Sakaq, disa media në Kosovë raportojnë se Prokuroria ka urdhëruar hetime mbi atë çka dyshohet se ka ndodhur me KQZ-në.