Masakra e Valbonës/ Gener 2 'nuk pyet' për gjykatë, hidrocentralet vazhdojnë të shesin energji

21 Shtator 2022, 11:00Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fotomontazh: Biznesmeni Bashkim Ulaj dhe kryeministri Edi Rama

Ali Ismalaj nga Tropoja është kthyer të jetojë në fshatin e lindjes pas daljes në pension. Përbri shtëpisë së tij rrjedh uji i pastër kristal i Valbonës. Edhe gjatë periudhës së nxehtë të verës, Valbona mban ende pak ujë, prurje që vijnë nga shkrirja e borës, tregon Aliu. Por pas 15 korrik, shpjegon ai, lumi thahet. Ujin e merr hidrocentrali.

“Se ato hidrocentralet që në fillim u banë në mënyrë të pabesishme për zonën, krahinën tonë”, – vazhdon Aliu, i cili rrëfen se ka marrë pjesë në protesta, ndonëse jo në mënyrë të rregullt. Ismalaj beson se ajo krahinë meritonte një tjetër fat.

“U deshke që në fillim një mbrojtje më e mirë, jo një punë kaq e tmerrshme me ekskavatorë dhe makineri të rënda, duke prishë ambientin dhe shtratin e lumit, burimet ujore, duke e shkatërrue”.

Masakra e Valbonës/ Gener 2 'nuk pyet' për gjykatë,
Ali Ismalaj, banor në Tropojë

Një këndvështrim të ngjashëm ndan një tjetër banore e Tropojës, Zyra Ahmetaj. Ajo e konsideron ujin bazën e jetës.

“Uji është baza e jetës! Edhe kur zbulohen planetë të rinj, nëse gjendet jetë në to, shikohet në radhë të parë nëse ka ujë”, – shpjegon 66-vjeçarja. Çdo gjë mbi tokë, Zyraja ia atribuon ekzistencës së ujit.

“Lumenjtë janë të rëndësishëm sepse ato përveçse freskojnë, mbushin liqenin, kanë luginat e tyre, i ujitin bimët, rriten drurët, rriten edhe malet. Flora dhe fauna janë të zhvilluara në sajë të ujit”.

Masakra e Valbonës/ Gener 2 'nuk pyet' për gjykatë,
Zyra Ahmetaj, banore në Tropojë

Përvetësimi i lumit për qëllime fitimi ka çuar në pakësimin e faunës, rrëfen Ali Ismalaj.

“Gjallesat në lumë, peshku, bretkosa, gjarpërinjtë që janë këtu në rrjedhën e lumit Valbona janë me pakicë tashi se nuk e kanë atë ujin e duhur ku ato qëndrojnë, jetojnë e zhvillohen, bëjnë vezët”.

Sa i përket ujitjes, tashmë ajo bëhet përmes ujit që vjen nga ujësjellësi, jo më nga kanalet që e merrnin ujin nga lumi Valbonë.

“Me ujin që marrim nga një ujësjellës për lagjen në luginën e Motinës, me spërkatje, me flutura që i themi ne, me impiante primitive ma shumë sesa të modernizume”, – thotë Aliu.

Një vendim gjykate që nuk “pi ujë”

Pas vitesh beteja ligjore dhe protestash kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve “Dragobia dhe Çerem” nga “Dragobi Energy Sh.p.k”, 100% në pronësi të “Gener 2”, në korrik të vitit të shkuar, Gjykata e Lartë e Apelit vendosi pezullimin e kontratës koncensionare dhe të çdo punimi, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë.

U deshën disa muaj që ky vendim të hynte në fuqi. Në nëntor të vitit të shkuar, përmbaruesja e Kukësit Satbere Shahu kreu një vizitë në terren, ku u konfirmua, më në fund, zbatimi i vendimit të Gjykatës së Lartë. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe pati sërish një përmbysje të situatës.

“Dragobia Energy” sërish u “rebelua” ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë dhe aktualisht lumi vijon të përdoret pa asnjë pengesë për prodhim energjie. Sipas dokumenteve të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në gjashtë-mujorin e parë të këtij viti janë prodhuar në total 45.131 MWh energji.

Gjykata ka vendosur të ndërpriten punimet, ndërsa këto vazhdojnë dhe punojnë. Ne jemi të indinjuar nga këto veprime”, – thotë Zyraja.

Citizens Channel iu drejtua kompanisë “Dragobia Energy” për një reagim, por deri në publikimin e këtij materiali nuk ka marrë asnjë përgjigje. Rea Nepravishta nga World Wild Life (WWF) në Shqipëri shprehet se janë ndjekur të gjitha rrugët ligjore  që vendimi i Gjykatës së Lartë të vihej në jetë.

Masakra e Valbonës/ Gener 2 'nuk pyet' për gjykatë,
Rea Nepravishta, WWF

“Pati një luftë goxha të madhe në vjeshtë dhe deri në nëntor, ku u duk se më në fund ky vendim arriti të vihej në jetë”, – saktëson Nepravishta.

“Por ndërkohë, ajo që kuptuam disa muaj më vonë, është që nuk është kështu sepse edhe pasi hyri në veprim përmbaruesi, firma ka vazhduar dhe i ka shitur OSHEE-së energji”.

“OSHEE distancohet nga padia”

Citizens Channel iu drejtua Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për koment rreth situatës aktuale të dy hidrocentraleve “Çerem & Dragobia” mbi lumin Valbonë.

Në përgjigjen zyrtare, OSHEE pohoi se kontrata koncensionare me “Dragobia Energy” dhe Ministrisë se Energjisë është lidhur në vitin 2009, ndërsa licencimi i firmës private për prodhim energjie është bërë në vitin 2016.

Sa i përket blerjes së energjisë nga “Dragobia Energy”, OSHEE shpjegon se ky institucion nuk është palë e paditur në asnjë proces administrativ sa i përket kësaj çështjeje.

“Në këto kushte, për sa kohë që nuk ka asnjë akt formal i cili të detyrojë shoqërinë të ndërmarrë ose jo veprime të caktuara si rrjedhojë e tij, vendoset në kushtet e vijueshmërisë së marrëdhënies ekzistuese kontraktore”.

Në rast se gjykata do të ketë efekt në palë të treta, shkruhet më tej në kthim-përgjigje nga OSHEE, atëherë Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTA SH.A) dhe OSHEE Group do të veprojnë në zbatim të ligjit.

Të gjithë situatën e krijuar, Nepravishta e konsideron të dëmshme veçanërisht sa i përket imazhit të drejtësisë në sytë e qytetarëve.

“Është një akt i hapur që minon shtetin ligjor”, – pohon ajo. “Jo vetëm injorohet vendimi i gjykatës, por është një lloj përdhosjeje e legjitimitetit të vetë Gjykatës së Lartë”, – përfundon Nepravishta.

Historiku gjyqësor për çështjen “Valbona”

27 banorë të Tropojës dhe organizata mjedisore “TOKA” depozituan një padi kundër disa institucioneve mjedisore si dhe firmës private “Dragobia Energy” rreth lejes së dhënë për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Valbonë.

Në vitin 2017, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi rrëzimin e padisë së banorëve me arsyetimin se pala paditëse nuk siguroi prova të mjaftueshme se ekziston një rrezik real i shkaktimin të një dëmi natyror në mjedis.

“Ekzistenca e dëmit nuk mund të prezumohet, as të hamendësohet. Sikurse çdo fakt tjetër me rëndësi për hetimin gjyqësor, ka rëndësi të bazohet në prova të sakta, ta qarta dhe të përputhshme mes tyre”, – argumentohej në vendim.

Sa i përket cenimit të interesit publik, në vendim u argumentua se Gjykata e Shkallës së Parë ka si detyrë të mbrojë qoftë interesin e publikut apo edhe të një individi.

“Ekziston rreziku që pezullimi i kësaj kontrate do të cenojë interesin publik duke komplikuar marrëdhëniet kontraktore mes organeve publike dhe operatorëve ekonomikë-privatë”.

“Beteja ligjore shkon në Apel”

Pas ankimimit nga banorët dhe shoqata TOKA, Gjykata e Apelit vendosi mbajtjen në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë. Apeli, në vendimin e zbardhur, arsyetoi se nuk qëndronte argumentimi se ndërtimi i dy hidrocentraleve në Valbonë do të sillte dëme të rënda mjedisore.

“Gjykata e Apelit vlerëson se vetëm fakti i paraqitjes së padisë dhe i parashtrimit të rrethanave faktike dhe ligjore nuk është argument i mjaftueshëm për pezullim”, – shkruhet në vendimin e zbardhur.

Më tej cilësohet se prodhimi i energjisë, ashtu sikurse edhe mjedisi, hyjnë në kategorinë e të mirës publike.

“Valbona” në Gjykatë të Lartë

Gjykata e Lartë në vendimin e muajit korrik 2022, cilëson se Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit “nuk kanë interpretuar drejt dispozitat e ligjit procedurale për marrjen e masës së sigurimit të padisë”.

Më tej në vendimin e zbardhur, Gjykata e Lartë çmon se nuk është e nevojshme që të gjykata të jetë e sigurt për ardhjen e një dëmi të rëndë, të atëçastshëm dhe të pakthyeshëm.

Më tej, cilësohet se gjykatat duhej të kishin marrë një vendim me efekt të përkohshëm “në mënyrë që të parandalohen dëme të rënda, apo për çfarëdo arsye në funksion të së mirës publike”.

Sipas Gjykatës së Lartë, dëmi i rëndë, i atëçastshëm dhe i pakthyeshëm në rastin e Valbonës ishte evident pasi “materializimi i të gjitha akteve kanë ndikim të drejtpërdrejtë, duke rrezikuar dëmtim të lumit, të pyjeve dhe mjedisit në përgjithësi”.

Më tej përmendet fakti që HEC-et “Dragobia&Çeremi” po ndërtohen brenda zonës së mbrojtur të Luginës së Valbonës, kategoria e II, Park Kombëtar. Për këto arsye, Gjykata e Lartë, mori vendimin e pezullimit të koncesionit dhe të shtesave të saj, deri në një vendim të formës së prerë, me qëllim parandalimin e ardhjes së pasojave të mëtejshme.

Sa i përket interesit publik, në vendimin e muajit korrik të vitit të shkuar, Gjykata e Lartë shpjegon se mbrojtja e mjedisit është prioritet kombëtar me qëllim trashëgimin e saj të padëmtuar ndër breza./Citizens Channel

Video