Më shumë se gjysma e shqiptarëve besojnë se Qeveria nuk është transparente

19 Shtator 2022, 21:16Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Më shumë se gjysma e shqiptarëve konsiderojnë qeverinë dhe bashkitë si jotransparente. Rreth 58 për qind e tyre thanë se nuk ka transparencë në vendimmarrje dhe politika gjatë anketës së nëntë të zhvilluar nga Programi i OKB-së për Zhvillim, UNDP.

Në 2021, shumica e shqiptarëve (62.2%) ishin të ndërgjegjësuar se e drejta për informim garantohej me ligj. 37.5% e shqiptarëve e konsideronin qeverinë qendrore si të përgjegjshme dhe 38.6% e konsideronin pushtetin vendor si të tillë; duke shënuar një rritje për të dyja nivelet e qeverisjes, për të dytin vit radhazi.

Tre institucionet e perceptuara si mekanizmat më efikase për llogaridhënien në vend janë Kontrolli i Lartë i Shtetit (71.1%), ndjekur nga Parlamenti (63.9%) dhe media (61.5%),

Organizatat si NATO (73.2%), OKB (71.4%), dhe BE (71.3%) e ruajtën renditjen e tyre si institucionet më të besuara në Shqipëri, pavarësisht një rënieje krahasuar me vitin 2020.

Qytetarët shqiptarë vazhduan t’i perceptonin institucionet fetare (67%) si institucionet më të besuara në vend, pasuar nga institucionet arsimore (57.1%), forcat e armatosura (54.6%) dhe organizatat e shoqërisë civile (52.6%). Presidenti (23.5%), partitë politike (26.4%), gjykatat (27.7%) dhe prokuroria (28.4%) ishin institucionet më pak të besuara në 2021.

Rreth 35% e të anketuarve besonin se reforma në drejtësi po zbatohet me korrektësi dhe 57% besonin se reforma do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit. Të dy këto shifra patën një rritje me 6 dhe 4 pikë përqindjeje (pp) përkatësisht, krahasuar me 2020.

Gjatë vitit 2021, një në katër qytetarë besonte se informacioni që jepej nga mediat në Shqipëri ishte i saktë, apo i vërtetë.

Në lidhje me emigrimin, arsyet kryesore për largimin drejt një shteti tjetër ishin, faktorët ekonomikë; dëshira për një jetë më të mirë, pasuar nga qeverisja e keqe, korrupsioni, apo mungesa e drejtësisë dhe nevoja për një arsim më të mirë. Arsye të tjera më pak të përmendura ishin siguria dhe krimi, bashkimi familjar me anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit dhe shërbime më të mira shëndetësore.

Anketa është zhvilluar vjeshtën e 2021 në 61 bashkitë e vendit dhe në të kanë marrë pjesë 2500 qytetarë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video