Hakerat ‘zbuluan’ arsyen e vërtetë të shkarkimit të Gledis Nanos

19 Shtator 2022, 19:57Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Mesazhet e postës elektronike të Gledis Nanos të publikuara nga hakerat iranianë zbuluan planin për t’i bërë atentat Albin Kurtit e Lulzim Bashës.

Zbuluan se si emra të shumëkërkuar për vrasje të shumëfishta qarkullonin në mes të Tiranës me automjete luksoze, si dhe dyshimet për një sulm të mundshëm terrorist ndaj Ambasadës Shqiptare në Athinë.

Por, mes të tjerave e-mailet zbulojnë edhe bashkëpunimin e ngushtë që Gledis Nano kishte me Ambasadën e SHBA në Tiranë. Ish-drejtori i Policisë së Shtetit dhe ish-kreu i antiterrorit ka kërkuar asistencën logjistike e njerëzore të Ambasadës së SHBA në disa raste.

Kulmimi i bashkëpunimit, siç provohet edhe në shkresat e rrjedhura është ai gjatë përpjekjeve për të nxjerrë nga Siria shtetasit shqiptarë, që fatkeqësisht diplomacia i kishte harruar.

Bashkëpunimi ka vijuar edhe në rastin e sinjalizimit nga pala greke për mundësinë e një akti terrorist në Ambasadën Shqiptare në Athinë. Autoritetet greke dyshonin se katër shtetas shqiptaro-grekë po e planifikonin. Edhe në këtë rast, Gledis Nano ka kërkuar asistencën e SHBA.

Këtë bashkëpunim, Nano e ka ruajtur edhe gjatë periudhës së shkurtër që drejtoi Policinë e Shtetit, aq sa jozyrtarisht thuhet se kjo ka qenë arsyeja e vërtetë e shkarkimit të tij.

Ambasada e SHBA, si rrallëherë për drejtuesit e Policisë, shprehu vlerësimet më të larta për Gledis Nanon pas shkarkimit të këtij të fundit.

“I shprehim vlerësimin tonë Gledis Nanos, i cili ishte një partner i fortë i Amerikës si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”, thuhej në reagimin e Ambasadës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video