Dosja “Buka”, Arben Ahmetaj doli mbi vendimin e formës së prerë të Gjykatës

11 Tetor 2023, 13:20Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arben Ahmetaj

Në reagimin e tij për akuzën e re të ngritur në rastin e privatizimit të shoqërisë shtetërore ‘Buka’, Arben Ahmetaj deklaron se jo vetëm që nuk ka shpërdoruar detyrën, por edhe ka mbrojtur interesat e shtetit me vendimmarrjet e tij.

Por, Prokuroria e Posaçme mendon ndryshe. Voxnews.al mëson ekskluzivisht nga dosja hetimore se akuza për shpërdorim detyre ndaj Arben Ahmetajt bazohet në një vendim të tij në 2014-n si ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit të Sipërmarrjes për procedurat e ankandit të shitjes së të gjitha aksioneve shtetërore te kjo ndërmarrje.

SPAK thotë në dosje se vendimi për hapjen e ankandit është marrë në shpërfillje të një vendimit të vitit 2006 të Gjykatës së Apelit, që ka njohur familjen Myderizi, si pronare e një trualli prej 7680 metrash katrorë të vendosur në rrugën ‘5 Maji’ në Tiranë.

Brenda këtij trualli, që gjykata ja njohu familjes Myderizi ndodhej ish-Fabrika e Bukës me sipërfaqe 6370 metër katrorë.

Vendimi i gjykatës ndalon tjetërsimin e kësaj prone pa miratimin e familjes Myderizi. Por, Arben Ahmetaj e ka shpërfillur këtë pjesë dhe ka shpallur ankandin.

Në atë kohë, biznesmeni Lirim Fezollari zotëronte rreth 40 përqind të kuotave dhe ishte kandidati potencial për blerjen e aksioneve shtetërore.

Procedura e ankandit u kundërshtua në rrugë gjyqësore nga trashëgimtarët e familjes Myderizi. Në vitin 2017, Gjykata Administrative e Apelit u dha të drejtë trashëgimtarëve. Por, ndërkohë, Ministria e Ekonomisë, nën drejtimin e Ahmetaj, kishte përfunduar ankandin, duke kaluar aksionet shtetërore tek Fezollari, i cili në përfundim të operacionin financiar zotëronte mbi 86 përqind të kuotave.

Në një kohë të shkurtër pasi mori pronësinë e kuotave dhe, rrjedhimisht edhe kontrollin me asetet e “Buka” sha”, Lirim Fezollari ia shiti trojet një tjetër kompanie, “Tobaço Holding”, e zotëruar po prej tij. Me kërkesë të trashëgimtarëve, është lëshuar urdhëri i sekuestrimit të përmbaruesit gjyqësor, me qëllim mostjetërsimin e pronave.

Por trojet ishin tjetërsuar më herët dhe asnjë institucion shtetëror nuk u interesua të vendoste paligjshmërinë në vend. Në kushtet e pasivitetit institucional, biznesmeni Fezollari, nëpërmjet “Tobaço Holding” ngre godinën që sot njihet si qendra tregtare “Emerald Mall”, e ngritur në ish-truallin e “Buka” sha., në rrugën 5 Maji.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video