Paratë publike në "dorën" e kreut të Gardës, kompania "2T" e vëllait të tij, 170 milionë euro tendera në 7 vite!

8 Tetor 2023, 14:07Investigim SHKRUAR NGA ADRIATIK DOçI
Gramos Sako

Artan Sako është bashkëpronarë me 50% të aksioneve në kompaninë e ndërtimit 2T, pjesë e dosjes së sterilizimit, pasi është nënkontraktuar nga kompania koncensionare SaniService pa miratimin e autoritetit kontraktor, Ministria e Shëndetësisë, veprim që ngarkon me përgjegjësi edhe Ogerta Manastirliun, e cila duhet të monitoronte zbatimin e kontratës.

Edhe pse e themeluar në vitin 2000, kompania nisi të shfaqej si fituese e tenderave të mëdhenj publikë në vitin 2013, pas ndryshimit të pushtetit.

Nëse deri në vitin 2012 kompania pothuajse ishte e panjohur në dokumentet e prokurimeve publike, pas vitit 2013 nisi të shfaqej në shumicën e tendera të mëdhenj si garuese dhe fituese, duke arritur kulmin në vitin 2019, me një xhiro vjetore mbi 25 milionë USD.

Nga viti 2015 deri në vitin 2022, kompania 2 T ka marrë mbi 170 milionë euro tendera, kryesisht në bashkëpunim me kompani të tjera.

Nga 70 tendera me vlerë mbi 170 milionë euro, 1/3 e tenderave figurojnë me flamur të kuq, që do të thotë pa garë, me garë formale ose duke përjashtuar të gjithë konkurrentët përveç fituesit.

Produkti përfundimtar i një tenderi me flamur të kuq me hije korrupsioni është mungesa e diferencës ose një diferencë e papërfillshme mes fondit limit dhe ofertës fituese, pa analizuar këtu rastet e abuzimit me zbatimin e kontratave, mashtrimit me volumin e punimeve, pra pagesat për punë të pakryera, të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Bashkëpronari i kompanisë së ndërtimit 2 T, Artan Sako, është vëllai i komandantit të Gardës së Republikës, Gramos Sako.

Artan Sako është arrestuar në dhjetor të vitit 1996 si i dyshuar për veprën penale kundër moralit dhe dinjitetit në vilat qeveritare në Vlorë, por kjo çështje është pushuar më pas.

Sako është emëruar në krye të Gardës së Republikës në vitin 2013, duke pasuar komandatin famëkeq Ndrea Prendi, i dënuat për vrasjen e protestuesit të pafajshëm Faik Myrtaj, për llogari politike të Sali Berishës, në protestën e 21 janarit 2011.

Ka dyshime të forta se Gramos Sako, drejtëpërdrejtë apo tërthorazi, ka ndikuar që kompania e vëllai të zgjerojë fushën e saj të tenderave.

Por, është e faktuar se Gramoz Sako ka përfituar vlera monetare, të shënuara si hua, nga vëllai i tij, Artan Sako, i cili është bashkëpronar i kompanisë 2T që ka përfituar 170 milionë euro tendera publikë.
Në deklarimin e pasurisë në ILDKPKI, Gramos Sako, në një rast, ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka marrë një hua me vlerë 63 mijë euro tek vëllai i tij, Artan Sako, për t'i investuar në klinikën e saj dentare.

Bëhet fjalë për klinikën, të cilën Komisioni i Vetingut në Polici e konsideroi si problematike sa i takon lëvizjes së parave.

Po a janë 63 mijë euro shuma e vetme që Gramos Sako ka marrë nga i vëllai Artan Sako, i cili ka marrë dhjetëra milionë euro para publike?!

Nëse SPAK do të operonte në këtë rast me standardin e hetimit të Arben Ahmetajt, mund të zbulonte çudira.

Si e 'çau' Vetingun në Polici

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit (Vetingu në polici) konstatoi se Gramos Sako ka bërë deklarim të rremë të pasurisë, ka fshehur të ardhurst dhe ka dhënë deklarime të rreme.

Sipas Komisionit të Vetingut, Sako nuk ka deklaruar burimin financiar të udhëtimeve jashtë vendit.
Në kundërshtim me ligjin, Salo ishte pronar i një bar kafe me një status pasiv, ndërkohë që nuk e ka deklaruar fare si biznes.

Komisioni konstatoi se Sako kishte detyrime te pashlyera ndaj tatimeve, kishte probleme të theksuara me blerjen e një apartamenti, shitjen e një makine 15 mijë euro si dhe parregullsi në deklarimin e klinikës dentare të bashkëshortes së tij.

Komisioni i përbërë nga Mirela Ujkani (Miti), Alban Laska dhe Artur Baku e gjetin Sakon me probleme edhe sa i takon pastërtisë së figurës pasi sipas gjetjeve, Sako ka punësuar dhe favorizuar mbesën e tij si juriste në Gardën e Republikës.

Megjithatë, Konisioni i Vetingut e konfirmoi në detyrë Artan Sakon, duke e kthyer procesin e verifikimit në një farsë qesharake dhe totalisht të kompromentuar, sidomos në e krahasomë me standardin e Vetingut në drejtësi.

Video