Sterilizimi/ Urdhri i drejtorit të FSDSH-së dyfishoi koston e koncesionit: Sa është fatura e këtij urdhri abuziv?

2 Shtator 2023, 21:03Investigim SHKRUAR NGA ADRIATIK DOçI
Adriatik Doçi

Gazetari Adriatik Doçi ka publikuar dokumentat të 16 marsit të vitit 2017, ku ish-drejtori i përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, Erion Manohasa nxjerr një urdhër për drejtorinë e Shërbimit Spitalor dhe kompaninë SaniService mbi mënyrën se si do të zbatohej kontrata e koncesionit të Sterilizimit.

Në shkresë, Manohasa urdhëron tekstualisht: “Shoqëria koncesionare Saniservice do të fillojë dhënien e shërbimit të sterilizimit për paketimet me avull dhe ato me temperaturë të ulët në QSUT, si fillim vetëm në Shërbimin e Kirurgjisë Maxilofaciale, atë Vaskulare dhe në Shërbimin e Kirurgjisë Plastike.”

Kjo shkresë është një urdhër që ka ngarkuar një faturë financiare miliona euro në kurriz të qytetarëve shqiptarë sepse kufizoi paketimet e lira vetëm në tre reparte të kirurgjisë.

Doçi ka ngritur disa pyetje: çfarë bëri Manastirliu dhe pse ky fakt i ka shpëtuar Erion Banit? Kush është implikuar me firmë dhe kush ka përfituar?

Artikulli i plotë i gazetarit Adriatik Doçi:

Shkresa e Erion Manohasës që rriti koston e sterilizimit. Pajisjet 140 mijë lekë u përdorën në vend të veglave 3 mijë lekë. Çfarë bëri Manastirliu dhe pse ky fakt i ka shpëtuar Erion Banit?!

Ashtu si edhe për shumë çështje të tjera me interes të lartë publik, edhe për çështjen e sterilizimit po thuhen dhe trumbetohen gjysmë të vërteta, duke fshehur dhe deformuar të vërtetën, me sa duket për interesa të caktuara.

Është raportuar për rritjen e kostos së shërbimit në mënyrë abuzive.

Po si është rritur kostoja?

Kush është implikuar me firmë dhe kush ka përfituar?

Sot po publikoj këtë shkresë të datës 16 mars 2017, që mban firmën e Erion Manohasës, në atë kohë drejtor i Përgjithshmëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Manohasa njofton QSUT-në që shërbimi i sterilizimit të nivelit të lartë dhe të kushtueshëm duhet të shtrihet përtej sallave të operacioneve, duke mbuluar çdo material ambulator të sterilizuar me avull apo me temperaturë të ulët, që përdoret për mjekim plagësh, ndërrim fasho, prerje të lehta etj.

Pra, shkresa konsiston në përdorimin e shërbimit të sterilizimit si për një operacion në sallë ashtu edhe për të hequr ca penjë apo ndërruar një plagë, duke rritur koston. Konkretisht setet e pajisjeve do të përdoreshin si në sallat e operacioneve, ashtu edhe jashtë tyre.

Kontrata sterilizimit parashikonte 5 lloje shërbimesh.
1. Instrumentet e sterilizuara për ndërhyrjet me kompleksitet të lartë, me vlerë rreth 400 mijë lekë për paketim.

2. Instrumentet e sterilizuara për ndërhyrjet me kompleksitet të mesëm me çmim 220 mijë lekë të vjetra për paketim.

3. Instrumentet e sterilizuara për ndërhyrjet me kompleksitet të ulët me vlerë 140 mijë lekë.

4. Paketimet me avull, për ndërhyrje minimale jashtë sallave të operacionit, me vlerë rreth 3 miljë lekë ose 3 USD.

5. Paketimet me temperaturë të ulët për ndërhyrje minimale jashtë sallave të operacionit, me vlerë rreth 10 mijë lekë ose 10 USD.

Urdhëri i Manohasë parashikon që nivelin 3 me kosto 140 mijë lekë të përdorej në vend të nivelit 4 për ndërhyrje minimale me kosto 3 mijë lekë të vjetra.

Në vend që të paguhej 3 USD për paketim, paguhej 140 USD për paketim sepse mjekëve u ndalohej të përdornin paketimet me avull dhe ato me temeperaturë të ulët nga urdhri i Manohasës.

Në 15 gusht 2018, pra 18 muaj më vonë, drejtori i ri i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Eduart Ahmeti hodhi poshtë shkresën e Manohasës të marsit 2017, që rriste koston e shërbimit.

Eduart Ahmeti urdhëron që setet e pajisjeve për të tre shkallët e kompleksiteteve (të lartë, të mesëm dhe të ulët) të përdoren vetëm në sallat e operacionit, për shkak të kostos. Nuk ka logjikë që një set me vlerë 140 mijë lekë të përdorej, për shembull, për të hequr penjtë apo mjekuar një plagë.

Gjatë konsumimit të këtij abuzimi në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë Ogerta Manastirliu, e cila ka futur 'kokën në rërë'.

Çfarë ka bërë Manastirliu për ta ndaluar abuzimin deri kur doli urdhri i Eduart Ahmetajt?

Sa është fatura e këtij urdhri abuziv?

Si ka mundësi që ky fakt kaq i rëndësishëm i ka shpëtuar syrit të mprehtë të Erion Bani, i njohur tashmë si Baba Vanga?

Video