Si është i kapur Berisha nga oligarkët që nuk u përmend kurrë emrat!

14 Gusht 2023, 16:25Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-kryeministri Sali Berisha

Kur pyetej disa muaj më parë se pse nuk denonconte me emra oligarkët, Sali Berisha përgjigjej se me emra i denonconte kur ata cenojnë rëndë interesi publik. Sipas kësaj deklarate të Berishës interesin kombëtar s’e cenojnë as koncesionet 1.3 miliardë euroshe secila, të Thumanë-Kashar dhe Lekaj-Fier, as Aeroporti i Nënë Tereza, i zgjatur me 13 vite për Shefqet Kastratin me premtimin e një investimi 100 mln eurosh, kur në vit regjistron të paktën 30 milionë euro fitime dhe shifra sa vjen e rritet nuk është cenim i interesave publike.

Thumanë-Kashar është miniera e arit e Bashkim Ulajt, ku Berisha ka sot zyrën, si ‘shpërblim’ për lejet e ndërtimit të dhëna, përfshirë këtu edhe lejen poshtë digës së Liqenit Artificial të Tiranës, edhe pse inxhinierë dhe aktivistë e kundërshtuan si të rrezikshme. Për Ulajn firmosi me nxitim para largimit në 2013-ën edhe lejet për hidrocentralet në Valbonë, për të cilat u provua më pas se kanë falsifikuar të paktën konsultimet publike dhe u rrëzuan nga Gjykata e Lartë.

Berisha nuk mund të denoncojë as Lekaj-Fier, sepse konsorciumin e oligarkëve biznesmenë e pronarë mediash, që qëndrojnë pas tetë kompanive që e kanë marrë atë me të njëjtën skemë si Thumanë-Kashar i njeh mirë.

Nuk flet dot për grabitjen e pronave të ushtrisë në bregdet, pasi pas tyre qëndrojnë njerëz që ai i ushqeu me pazare, madje përflitet se me Artan Dulakun, njërin nga përfituesit e këtyre pronave, thuhet se ka arritur një pazar vite më parë. Ky i fundit do ndalte sulmet ndaj qeverisë së Berishës dhe do të largonte nga televizioni gazetarin Mero Baze.

Berisha s’mund të denoncojë as Klodian Allajbeun, oligarkun e spitaleve private, ku para se të vdesësh sigurohen që të t’i kenë boshatisur xhepat. Ai nuk mund të nxjerrë asnjë fjalë nga goja e tij për koncesionin famëkeq të hemodializës, sepse Allajbeu është ortak me Shkëlzen Berishën në biznesin e famshëm të boronicave.

Berisha nuk mund të denoncojë Shefqet Kastratin, me të cilin ka punuar në qeverisje dhe u sigurua që t’i japë në një pjatë të argjendtë monopolin e tregtimit të karburanteve në vend. Një qëndrim i ngjashëm hipokrit u mbajt edhe për bordin e çmimeve, që mbushi arkat e Shefqet Kastratit. Në njërën anë, Berisha e quante bordin si komunist dhe zhvatës të shqiptarëve, por kur erdhi puna e kundërshtimit të tij ligjërisht në Gjykatën Kushtetuese ndaloi deputetët që të firmosnin nismën e grupit rival brenda PD-së.

Berisha s’mund të sulmojë Pëllumb Salillarin, që është krijesa e tij në fitimin e tenderave të rrugëve dhe as Ilir Shtufin, që qëndron “de jure” pas kompanisë që do të ndërtojë kullën pas teatrit të operas dhe baletit, e për më tepër i ka strehuar të birin në një vilë në Rolling Hills me një qira modeste.

Berisha s’mund të denoncojë 60 mijë metër katror truall në Portin e Vlorës të përfituara nga Samir Mane me 1 euro për të ngritur kulla, rezidenca dhe hotele, jo se nuk cenon interesin e qytetarëve, por se ja mbyllin gojën janë lidhjet e pashkëputura me të. Samir Mane është provuar edhe me foto që është mik shtëpie, madje i ftuar VIP te dasma e Shkëlzenit.

Kjo është arsyeja se pse Sali Berisha sulmon koncesionin e Portit të Durrësit të marrë nga arabët, por nuk ka pipëtirë për Portin e Vlorës, të përfituar me të njëjtën skemë nga Samir Mane.

Me Manen, lidhjet janë vendosur që kur Berisha qeveriste dhe oligarku ngrinte TEG-un në Tiranë, duke ‘detyruar’ Berishën që të hartojë dhe zbatojë me prioritet të gjitha projektet rrugore që të çonin te qendra tregtare e Samir Manes, që ironikisht doli më sloganin ‘Të gjitha rrugët të çojnë në TEG’.

Në një formë, të gjithë oligarkët e mësipërm janë krijesa të Sali Berishës, ku merita e Edi Ramës është fuqizimi edhe më tej i tyre. Prandaj, ish-Kryeministri sot nuk mund të flasë dot kundër, sepse është njësoj si të flasë kundër vetvetes.

Por, për të folur dhe ngritur kauza opozitare të rreme, Berisha gjen koncesione apo biznese që nuk kanë lidhje me të.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video