Kapet mat Shkëlzen Berisha, deklaroi se paguante qira tek vila e Ilir Shtufit në Rolling Hills, por e ka fshehur në ILDKP

10 Gusht 2023, 11:45Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shkelzen Berisha dhe ne sfond vila në Rolling Hills

Shkëlzen Berisha ka reaguar në lidhje me akuzat se është pronari faktik i një vile në zonën e Lundrës, që de jure është e regjistruar në emër të biznesmenit Ilir Shtufi dhe po de jure, djali i ish-Kryeministrit jeton atje me qira.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai thotë se prej 17 vitesh, kur është kthyer në Shqipëri ka zgjedhur të jetojë gjithmonë me qira. Ai thotë se në këtë periudhë ka ndërruar 3 herë banesë dhe këmbëngul se përveç pagesës së qirave përmes kanaleve zyrtare, nuk ka pasur asnjë marrëdhënie pune me qiradhënësit.

Vetë Shkelzën Berisha nuk është subjekt i drejtpërdrejt i ligjit të vetëdeklarimit të pasurive, por si djali i ish-Presidentit, ish-Kryeministrit dhe tashmë deputetit Sali Berisha emri i tij pasqyrohet në formularët e vetëdeklarimit të këtij të fundit.

Gazetari Adriatik Doçi thotë se në formularët e deklaruar nga Berisha prej 2014-ës nuk është deklaruar si detyrim financiar asnjë shumë qiraje nga ana e Shkëlzen Berishës. Voxnews.al ka siguruar formularët e dorëzuar nga Berisha nga viti 2014-të deri pas zgjedhjes si deputet në vitin 2021.

Nga këqyrja e këtyre formularëve rezulton se në vitin 2014-të, një vit pasi Sali Berisha largohet nga pushteti, Shkëlzen Berisha deklaron si detyrime një kredi rreth 275 mijë euro për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 200 metra katrorë në Tiranë, një kredi tjetër gati 45 mijë euro për blerjen e një makine dhe një kontratë qiraje për banesën në Lundër dhe për qiranë e zyrës në shifrën 400 euro.

Në deklaratat që pasojnë dy vite më pas, në 2015-ën dhe 2016-ën, detyrimet mbeten të njëjta. Por, në në formular nuk përcaktohet në shifra detyrimi financiar që Shkëlzen Berisha ka nga kontratat e qirasë në Lundër dhe për zyrën. Kjo pjesë plotësohet vetëm me shënimin ‘Vazhdon kontrata e qirasë në Lundër…’ 

Në 2017-ën, qiraja si për banesën në Lundër, ashtu edhe për zyrën nuk pasqyrohet fare në formular, duke ngritur dyshime për fshehje pasurie. E njëjta gjë ndodh edhe në formularët e viteve në vazhdim, deri në tetor të vitit 2021, kur Sali Berisha ka dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë pas zgjedhjes deputet në zgjedhjet e prillit të atij viti.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video