Kryetarë të rinj, avazi i vjetër / 5.5 mln euro tendera me flamuj të kuq nga bashkitë

16 Korrik 2023, 18:28Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nga data 15 maj, deri më 15 korrik bashkitë e vendit kanë hapur 64 procedura tenderimi të klasifikuara nga Open Data Albania me flamuj të kuq.

Në pjesën më të madhe të procedurave, janë skualifikuar të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës në garë, me përjashtim të kompanisë fituese të tenderit. Raste të tjera janë edhe mosdorëzimi i ofertës, si dhe pjesëmarrjen në garë të vetëm një kompanie.

Vlerat e tenderave, sipas të dhënave të Open Data Albania dhe të përpunuara nga Voxnews.al varion nga 231 mijë lek, deri në 33 milionë lekë. Tenderat janë hapur kryesisht me objekte për punime elektrike, kanalizime, furnizime ushqimore e të tjera.

Shuma totale e tenderave të klsaifikuar me flamur të kuq arrin në të paktën 570 milionë lekë, ose 5.5 milionë euro, një shifër relativisht e lartë duke pasur parasysh faktin që bëhet fjalë për një periudhë kohore të kufizuar në vetëm dy muaj, pra nga 15 maji, një ditë pas zgjedhjeve deri më 15 korrik.

Open Data klasifikon me flamur te kuq një procedurë prokurimi që tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin, ose jo-etike të biznesit, kryesisht në lidhje me mos-respektimin e ligjeve anti-korrupsion.

Vlerësimi për këtë kategori bëhet në mënyrë automatike, me filtra analitikë të paracaktuar.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video