E kritikonte në 2013-n, Qeveria do të zgjasë me 10 vite koncesionin e markimit të karburanteve!

19 Qershor 2023, 11:29Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Biznesmeni Sinan Idrizi

Më 27 shkurt përfundoi afati 10-vjeçar i koncesionit të markimit të karburanteve, një koncesion i dhënë nga qeveria e Sali Berishës në ditët e fundit të saj.

Por, duke interpretuar dy parashikime të çuditshme në kontratën fillestare kompania ja doli mbanë që ta zgjasë këtë koncesion përtej shkurtit. Aktualisht, koncesioni vijon të arkëtojë qindra-mijëra euro nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Paratë i mbledh për çdo litër karburant që qytetarët blejnë nga pikat e shitjes me pakicë. Kalimi i shërbimit nga shteti në duart e privatit në 2013-ën synonte që të eleminonte kontrabandën. Se sa ja ka arritur qëllimit ky është një tjetër debat.

Debati i këtyre ditëve është përpjekja e Qeverisë për ta zgjatur koncesionin me 10 vite të tjera. Për këtë qëllim, Voxnews.al mëson nga burime të Ministrisë së Financave se është ngritur një grup pune.

Jozyrtarisht thuhet se grupi i punës ka gati një raport të kosto-efektivitetin e koncesionit. Rezultati është i paracaktuar dhe burimet thonë se në raport do të këshillohet zgjatja e koncesionit në fjalë, edhe pse të dhënat dhjetëvjeçare të konsumit të karburantit në Shqipëri sugjerojnë se një sasi deri në 200 mijë tonë në vit mund të hyjë kontrabandë në treg.

Koncesionin në vitin 2013 e fitoi kompania GFI Albania me NIPT L31605014G, që zotërohet në 99.3 për qind të aksioneve nga kompania “Petroleum Consulting Partners LLC” dhe Global Fluids International me 0.7 për qind.

Nga të dhënat e dorëzuara në regjistrin e përfituesve fundorë, rezulton se pronare është shtetësja turke, Nerve Korkmaz e lindur në prill të 1968-ës dhe person i afërt me Sinan Idrizin.

Ajo ka marrë pronësinë 100 për qind të koncesionit më 16 shkurt të këtij viti pas largimit të Ismail Mulletit, që zotëronte kompaninë Petroleum Consulting LLC.

Të dhënat sugjerojnë se transaksioni nuk është i rastësishëm dhe i përcaktuar nga lëvizjet e tregut, pasi për të humbur gjurmët e lëvizjes kompania Petroleum Consulting është çregjistruar nga Zvicra dhe është regjistruar në Delaware të SHBA, njohur si parajsë fiskale dhe i njëjti vend ku më parë ishte regjistruar kompania DH Albania, që përmes falsifikimit provoi të fitojë një tender 20 mln eurosh te Unaza e Re.

Nga bilancet e dorëzuara në QKR koncesioni ka një marzh fitimi prej të paktën 1.2 milionë eurosh në vit, nga e cila në shtet derdh si tarifa koncesioni rreth 100 mijë euro. Blerja një vit nga përfundimi i kontratës duket e pazakontë.

Kjo ngre dyshimet se koncesioni do të zgjatet dhe një propozim, siç mëson Voxneës.al është ai për ta çuar deri në 2033-shin. Vendimi pritet që të merret para se qeveria të nisë pushimet zyrtare të gushtit, ku si arsyetim do të përdoret pikërisht raporti i grupit të punës që përbëhet nga doganat, ministria e Financave dhe Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve.

Koncesioni i markimit të karburanteve ka qenë një prej koncesioneve më të sulmuara nga socialistët në opozitë, që e cilësonin atë klientelist dhe favor i qeverisë Berisha në ditët e fundit të saj.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video