
Privatizimi i dy pronave të lakmueshme shtetërore në Tiranë është bërë në kundërshtim me vendimet e gjykatave dhe e gjithë zanafilla e manipulimit është një shkresë e Arben Ahmetajt që nuk mbërriti kurrë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Bëhet fjalë për dy prona të shoqërisë Buka SH.A. në zonën e 5 majit dhe në zonën e Pallatit me Shigjeta në kryeqytet. Që të dyja pronat sot shfrytëzohen nga biznesmeni Lirim Fezollari, si aksioner i gati 90 për qind të aksioneve të shoqërisë Buka.
Gjithçka nis në vitin 2015-të, kur Ministria e e Zhvillimit Ekonomik dhe e Sipërmarrjes, drejtuar në atë kohë nga Arben Ahmetaj hap një ankand për shitjen e gati 46 për qind të aksioneve të saj. Ankandin e fiton Lirim Fezollari. Kontrata e transferimit të kuotave nënshkruhet mes biznesmenit dhe Ministrisë së Financave më 21 gusht të 2015-s.
Por, kjo kontratë u bë objekt për nisjen e një procesi gjyqësor të nisur nga familja Myderizi për një pjesë të truallit të shoqërisë Buka në zonën e 5 Majit, ku kishin fituar titullin e pronësisë.
Procesi gjyqësor u përmbyll në vitin 2018-të me një vendim të formës së prerë të gjykatës së apelit administrativ të Tiranës. Gjykata vendosi anulimin e të gjithë ankandit dhe për rrjedhojë edhe të gjithë transaksioneve që u kryen pas këtij ankandi.
Në zbatim të këtij vendimit të gjykatës, siç denoncoi Boldnews.al Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj nxjerr në fillim të nëntorit 2018-të urdhrin për anulimin e ankandit të 2015-ës. Deri këtu gjithçka duket në rregull. Deri këtu gjithçka duket në rregull. Por, problemi është se vendimi i gjykatës nuk u zbatua dhe vijon të mos jetë i zbatuar.
Te të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit ankandi është de facto në fuqi. Burime nga kjo qendër pohojnë se dy janë mundësitë se pse nuk është reflektuar anulimi i ankandit.
E para është që shkresa e firmosur nga Arben Ahmetaj në nëntor të 2018-s është bërë sa për sy e faqe dhe ajo nuk është dorëzuar zyrtarisht te QKB për t’u relfektuar më pas në regjistrin tregtar të bizneseve.
Mundësia e dytë është që Arben Ahmetaj të ketë vepruar me dy shkresa, ku njëra është ajo që i është vënë në dispozicion familjes Myderizi dhe tjetra me përmbajtje krejt të kundërt nga e para është dorëzuar në QKB.
Në të dyja rastet, Arben Ahmetaj kapet në shkelje në këtë rast. Në rastin e parë për shpërdorim detyre duke mos zbatuar një vendim të formës së prerë të gjykatave. Në rastin e dytë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Megjithatë, Arben Ahmetaj në këtë çështje duket se ka luajtur bukur. Ish-ministri dhe ish-zv.kryeministri nuk është thirrur ende nga SPAK për dosjen e privatizmit të shoqërisë Buka. Ai që është marrë në pyetje është Shkëlqim Cani.
Burime pohojnë se në dëshminë e tij, Shkëlqim Cani ka pohuar se Ministria e Financave ka respektuar ligjin dhe se nuk ishte në kompetencë të saj të verifikonte pretendimet e titujve të pronësisë, për sa kohë shoqëria Buka dhe pronat e saj ishin nën menaxhimin dhe pronësinë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, të drejtuar nga Arben Ahmetaj.
E shpjeguar më trashë, e gjithë procedura ka qenë e mirëmenduar nga Arben Ahmetaj, që nga hapja e ankandit, deri te firmosja e një letre që nuk mbërriti kurrë në QKB për zbatim të vendimit të gjykatave./BoldNews