
SPAK ka marrë në pyetje disa biznesmenë në dosjen hetimore që ka ngritur kundër Arben Ahmetajt. Personat në fjalë nuk janë marrë si të pandehur, por si persona që mund të ndihmojnë në ecurinë e hetimeve dhe sigurojnë prova të tjera për katër e akuzat e ngritura ndaj ish-zv.Kryeministrit.
Burimet thonë se dëshmi kanë dhënë biznesmenët që kanë ndërtuar dy vilat në Hamallaj dhe Palasë, prona të cilat janë në emër të bashkëjetueses dhe ish-bashkëshortes së Ahmetaj, ndaj të cilave është gjykata ka vendosur masën e sekuestros preventive.
Mes personave që kanë dëshmuar në SPAK ka edhe personazhe mediatike, ndërsa janë pyetur edhe të afërm të deputetit socialist.
SPAK ka nisur hetimet ndaj ish-numrit dy të qeverisë me katër akuza të ngritura ndaj tij. Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion, përfitime të paligjshme dhe pastrim parash.
Prokuroria e Posaçme ka bashkuar dy procedimet në dosjen 277 fraksion 1 të dosjes së inceneratorit te Elbasanit, ku Ahmetaj po hetohet për shpërdorim detyre si dhe çështjen që lidhet me vilën në Hamallaj dhe prona të tjera të dyshuara si të përfituara përmes skemave korruptive.
Arben Ahmetaj u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK në mes të muajit mars, pasi SPAK ushtroi kontrolle në dy vilat e vendosura në Hamallaj dhe Palasë. Vila në Hamallaj është në pronësi të partneres aktuale të tij, Erjola Hoxha, ndërsa ajo në Palasë në emër të ish-bashkëshortes së tij, Albina Mançka. Kjo e fundit mohoi pronësinë në dëshminë e dhënë para prokurorëve.
Zhvillime të tjera në lidhje me këtë dosje parashikohen për pas zgjedhjeve, kur prokuroria e posaçme pritet që t’i adresohet Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.