FAKTET/ Është i pandehur, pse nuk kërkohet heqja e imunitetit të Arben Ahmetajt?

26 Prill 2023, 12:50Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arben Ahmetaj

Pak më shumë se një muaj nga dita kur Arben Ahmetaj është marrë zyrtarisht i pandehur për përfshirjen e tij në dosjen e inceneratorëve, nuk ka ende asnjë veprim nga SPAK.

Prokuroria e Posaçme jo vetëm që nuk ka dalë me një deklaratë në lidhje me ecurinë e hetimeve, por publikisht as e ka marrë në pyetje ish-zëvendëskryeministrin e akuzuar.

Hapi i parë procedurial që SPAK duhet të ndërmerrte pas zyrtarizimit të akuzës ishte dërgimi në Kuvend i kërkesës për heqjen e imunitetit të deputetit.

Një kërkesë e tillë nuk ka mbërritur ende zyrtarisht në Kuvend edhe pse gjykatat e posaçme i kanë dhënë të drejtë SPAK për ligjshmërinë e operacioneve të kontrolleve në vilën në Gjirin e Lalzit, në emër të partneres së Arben Ahmetajt dhe atë të Palasës në emër të ish-bashkëshortes së tij.

Burime nga mazhoranca për Vox News bëjnë me dije se "në Kuvend nuk ka ardhur ende një kërkesë nga SPAK për imunitetin", por, theksojnë burimet, "sapo ajo të vijë, do të aprovohet në mënyrë të menjëhershme".

Pse po vonohet kërkesa proceduriale? Arsyet vetëm prokurorët e dosjes i dinë. Edhe në këtë rast, SPAK po vepron me dy standarde, pasi në rastin e Alqi Bllakos kërkesa për heqjen e imunitetit u dorëzua me shpejtësi në Kuvend. 

Ajo që publiku di në këtë fazë të hetimeve është që Arben Ahmetaj është marrë i pandehur për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Akuzat u ngritën pas kontrolleve të SPAK në vilën e partneres aktuale të Arben Ahmetajt, Erjola Hoxha dhe ish-bashkëshortes së tij, Albina Mançka.

Të dyja kontrollet u kundërshtuan nga Ahmetaj, që në gjykatë kërkoi pavlefshmërinë e tyre, jo mbi bazën e dyshimeve e më pas akuzave të ngritura ndaj tij, por me pretendimin se imuniteti i deputetit e mbronte nga këto kontrolle.

Provat e korrupsionit të Arben Ahmetajt janë vulosur sot edhe me vendime të gjykatave të posaçme, që legjitimuan kontrollet dhe e morën atë të pandehur. E gjithë heshtja e SPAK duke shfrytëzuar fushatën zgjedhore sugjeron se ajo është e qëllimshme.

Përpos vonesave të SPAK, deputeti i PS dhe ish-zëvendëskryeministri ka nisur dhe ofensivën duke sulmuar nëpërmjet mercenarëve mediatik këdo që po shkruan për hetimet ndaj tij.

Ajo që bën skandalin e vërtet në çështjen ndaj tij është mundësia që po i jepet për të zhdukur dhe fshehur provat.

Kohët e fundit ai qëndron më tepër jashtë vendit, duke pasur vend strehimi Zvicrën ndërsa njerëz pranë tij në Tiranë të cilët janë të dyshuar si persona që fshehin pasurinë e tij po bëjnë përpjekje që hetimet ndaj tij të sfumohen dhe çështja të mbyllet.

Hetimet ndaj tij, nuk janë thjesht vënia e drejtësisë në vend, po janë prova më fortë se SPAK është serioz në hetime dhe reforma në drejtësi ka dhënë rezultate.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video