
Në një nga daljet për mediat në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi gjetjet nga misioni vëzhgues vjetor në Shqipëri, Guvernatori Gent Sejko tregonte për vështirësitë që kishte Banka e Shqipërisë për të luftuar inflacionin me të vetmin mjet monetar që ka në dorë; normat e interesit.
Sejko deklaronte në atë kohë se përdorimi masiv i euros në ekonominë shqiptare, të paktën në gjysmën e saj e bëntë pa efektivitet politikën e rritjes së normave të interesit. E thënë më thjeshtë, normat e interesit si mekanizëm kundër zhvlerësimit të lekut funksiononin vetëm për ata që pagën, blerjet e të gjitha shpenzimet e tjera familjare, apo të sipërmarrjes i kryenin në lek.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kjo pjesë përbën vetëm gjysmën e ekonomisë. Gjysma tjetër është në monedhë të huaj, kryesisht në euro. Kjo do të thotë se për të luftuar rritjen e shfrenuar të çmimeve në vendin tonë nevojitej rritja e interesave edhe nga Banka Qendrore Europiane, që ka në dorë këto norma për monedhën e përbashkët.
Në fillim të këtij marsi, BQE rriti këto norma, pasi niveli i inflacionit në vendet e eurozonës ishte tej parashikimeve dhe për më tepër me ritme ngadalësimi të papërfillshme. BQE, FMN dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare financiare kanë këshilluar vendet në këtë periudhë krize çmimesh se rritja e pagave nuk është mjeti më i zgjuar dhe as më efikasi.
FMN, në dy raporte të vetat këshillon qeverinë shqiptare që të orientohet drejt reduktimit të shpenzimeve, vetëpërmbajtjes nga rritja e rrogave dhe përqendrimit të ndihmës financiare për shtresat në nevojë dhe ato që preken më fort nga rritja e çmimeve.
Sipas Fondit, rritja e pagave jashtë kapaciteteve të tregut është njësoj si t’i hedhësh benzinë zjarrit, që do të çojë në rritje të mëtejshme të inflacionit në vend. Kjo zhvlerëson lekun dhe rrit koston e jetesës për qytetarët.
Megjithatë, qeveria shqiptare shpërfilli këshillën e FMN-së dhe ka njoftuar në periudhë parazgjedhore rritje pagash, dëmshpërblime pensionesh e të tjera lehtësira financiare për qytetarë e biznese.
Vendimi i qeverisë bie ndesh me politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, që vetëm pak ditë më parë rriti sërish normën bazë të interesit me 0.25 për qind dhe pa përjashtuar një tjetër rritje të saj. Vendimmarrja e Bankës ndikon drejtpërdrejt në radhë të parë te shtrenjtimi i kredive, si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.
Por, rreziku më i madh është që spiralja e inflacionit e nxitur edhe nga politikat populiste të qeverisë të përshkallëzohet në periudhë afatshkurtër dhe të shtyjë në kohë normalizimin e situatës së çmimeve, duke sjellë një situatë të ngjashme me zhvlerësimin e monedhës në Turqi, a vende të tjera që në vend të reduktimit kanë injektuar në ekonomi më shumë para.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.