Janë disa kallëzime kundër Metës dhe Kryemadhit, kur do zgjohet SPAK për të nisur hetimet?

2 Prill 2023, 16:26Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta - Foto ilustrim

Pirgut të kallëzimeve në SPAK ndaj Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës iu shtua këtë javë një tjetër padi, të ngritur nga ish-deputeti, Halit Valteri. Valteri njoftoi në Zona Zero në Top News se kishte depozituar kallëzimin për pagesat në offshore me kompani ruse të Monika Kryemadhit.

Kur u pyet se cilat ishin pritshmëritë e tij nga prokurorët e posaçëm për këtë kallëzim, ish-deputeti nuk u shfaq fort optimist, por tha se do të vinte dita kur paprekshmërisë së dyshes Kryemadhi-Meta do t’i vinte fundit.

Pesimizmi i Valterit në lidhje me këto kallëzime lidhet me faktin që edhe pse ka një mori dosjesh e kallëzimesh ndaj Metës e Kryemadhit, që qëndrojnë në tryezën e SPAK prej kohësh, nga organi i akuzës nuk ka ende një reagim.

Kallëzimet përfshijnë dy padi të Valterit për lobimet në SHBA dhe burimin e 700 mijë eurove të paguara për këtë qëllim në Uashington.

Padia tjetër lidhet me pagesat e përfituara nga Monika Kryemadhi nga kompani offshore pas të cilave dyshohet se qëndrojnë oligarkë rusë me lidhje të afërta me Vladimir Putinin. Për këto pagesa, edhe Kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca socialiste ka kërkuar hetim, pasi sipas tyre është cenuar siguria kombëtare.

Kësaj padie i shtohet edhe ajo ndaj Monika Kryemadhit e avokatit Idajet Beqiri. Ky i fundit kërkon nga prokurorët që të verifikojnë akuzat mbi shpenzimet për operacione estetike që ish-kryetarja e LSI-së dyshohet se ka kryer në San Marino. Shuma që përflitet se ajo ka shpenzuar ndër vite mund të jetë deri në 1 milionë euro.

Një tjetër dosje, për të cilën SPAK nuk ka reaguar është ajo e aferës CEZ-DIA, e rihapur ku i akuzuari kryesor është Ilir Meta. Sipas akuzës, Meta ka lobuar që detyrimet prapambetura prej miliona eurosh, që qytetarët i kishin kompanisë CEZ të mblidheshin nga kompania DIA e Kastriot Ismailajt, me lidhje të forta me Ilir Metën.

Përveç marrjes në pyetje të Metës për këtë dosje, nuk ka asnjë sinjal tjetër nga SPAK mbi ecurinë e hetimeve për dosjet e tjera, ku përfshihen akuza nga ato të korrupsionit, e deri te fshehja e pasurisë, apo edhe cenimi i sigurisë kombëtare.

Video