
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender të majmë vetëm për konsulencën dhe studimin e aksit rrugor Elbasan-Lekaj, pjesë e korridorit 8.
Thirrja është hapur të premten dhe buxheti i vënë në dispozicion është gati 100 milionë lekë bashkë me TVSH-në, ose rreth 860 mijë euro.
Kompanitë e interesuara duhet të dorëzojnë ofertat e tyre deri më datë 21 qershor, ndërsa konsulenca bashkë me studimin duhet të dorëzohet brenda 22 muajve nga nënshkrimi i kontratës.
Studimi do të përfshijë në pjesën më të madhe aksin ekzistues, Elbasan-Rrogozhinë, i projektuar e studiuar që në fillim të viteve 2000.
Pra, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender për studimin e një aksi rrugor ekzistues, që është studiuar një herë, që është funksional dhe për më tepër shifra e vendosur në pjatë është gati 1 milionë euro.
Aksi Elbasan-Lekaj është pjesë e korridorit 8, që nis nga Qafë-Thana dhe përfundon me ndërlidhjen me korridorin blu në Lekaj.
Nga Lekaj për në Fier, korridori blu është dhënë me koncesion tetë kompanive shqiptare, që në planin e biznesit parashikojnë të arkëtojnë nga vendosja e pagesës për kalimin në këtë aks të paktën 1.5 miliardë euro.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.