Të kapur kokë e këmbë nga oligarkët/ Çfarë mungon tek spoti elektoral i koalicionit “Bashkë Fitojmë”?!

11 Maj 2023, 18:04Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Çfarë mungon tek spoti elektoral i koalicionit “Bashkë Fitojmë”?

Sali Berisha postoi më 5 maj spotin elektoral me titull ‘Tepsia e Edi Ramës, me lutjen drejtuar ndjekësve që ta shpërndanin e shihnin sa më shumë.

Gati një javë më vonë, spoti është barë nga 29 mijë vetë, nga 1.1 milionë ndjekës që ka Sali Berisha vetë. Shifra është më pak se 3 për qind e totalit. Kjo shifër bëhet edhe më e papërfillshme nëse e krahasojmë me numrin e votuesve, që shkon në gati 1.7 milionë.

Por, çfarë ka që nuk shkon te spoti elektoral i koalicionit Berisha-Meta? Pse nuk ngjit te shqiptarët? Arsyeja e vetme është hipokrizia e opozitarizmit të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Që të dy sulmojnë kuturru Edi Ramën për korrupsion, tendera, afera korruptive madhore, por janë selektiv në denoncimin e oligarkëve, që janë përfituesit e vërtetë të tenderave dhe koncesioneve.

A mund të jetë rastësi që Berisha e Meta nuk e çojnë gjuhën të koncesioni Lekaj-Fier, apo te ai Thumanë-Kashar? A është rastësi që dyshja Berisha Meta denoncojnë si aferë korruptive koncesionin për ndërtimin e portit turistik të Durrësit, por heshtin për portin e Vlorës të dhënë me të njëjtën formulë për Samir Manen?

A është rastësi që Berisha nga Lushnja denoncon mbi bazën e thashethemeve vëllain e kryebashkiakes Eriselda Sefa për korrupsion, por ka lidhur gjuhën për Arben Ahmetajn, ideatori i shumë koncesioneve që sot janë me dosje në SPAK, tashmë i rreshtuar me opozitën në përpjekje për të shpëtuar lëkurën e vet?

A është rastësi që dyshja Berisha-Meta heshtin për koncesionin 60 milionë eurosh të pullave fiskale? Po heshtja për bordin e karburanteve, që pasi e cilësuan komunist që po rrjep qytetarët e çuan në Kushtetuese me një dosje të mangët enkas për t’iu rrëzuar nga gjykata, a mund të jetë rastësi?

Të kapur kokë e këmbë nga oligarkët/ Çfarë

Pse nuk flet më dyshja Berisha-Meta për koncesionin gjysmë miliardi eurosh i Rrugës së Kombit për Çet Kastratin? Po për aeroportin e Rinasit?

Këto janë një pjesë e arsyeve se pse opozitarizmi i Berishës dhe i Ilir Metës është i pabesueshëm dhe që të dy ata janë të kapur nga oligarkët, sepse s’mund të flasësh gjithë kohës se si po plaçkitet Shqipëria dhe të mos drejtosh kurrë gishtin e fajtorit nga plaçkitësit e saj.

Prandaj edhe spoti me tepsi i Berishës nuk ka asgjë të re, përveçse riciklim i akuzave gjysmake e selektive. As Berisha dhe as Meta nuk kanë hyrë në këtë fushatë me akuza në territorin e oligarkëve, atyre që për pasuri së bashku bëjnë gati gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto të vendit.

Të kapur kokë e këmbë nga oligarkët/ Çfarë

Si i shtrembëron Sali Berisha shifrat e Facebook

Sali Berisha u ka hyrë algoritmeve të Facebook për të përcjellë te ndjekësit e vet në rrjetet sociale idenë e mbështetjes masive, sipas tij, të opozitës dhe kandidatëve të saj në zgjedhjet e 14 majit.

Në postimet e tij nxjerr të dhëna krahasimore mes kandidatëve të Bashkë Fitojmë dhe atyre të socialistëve. Por vetëm kaq. Nuk thotë kohën e matjeve, as për përmbajtjen e postimeve ku kanë reaguar qytetarët.

Pse duhet transparenca për këta dy elementë? Së pari për të kuptuar nëse krahasimi është i barabartë. Që do të thotë, nëse momentin e matjes së reagimit të qytetarëve kanë pasur aktivitet si kandidati i Berishës, ashtu edhe ai i socialistëve.

Sepse mund të ndodhë që matja për kandidatët e Bashkë Fitojmë të jetë në pikun e reagimit të përdoruesve të rrjeteve sociale, ndërsa për rivalin socialist të merret një orar i zbehtë, si shembull gjatë natës.

Kjo është një arsye se përse shifrat e publikuara nga Berisha janë të pabesueshme. Elementi i dytë që përforcon bindjen e pabesueshmërisë së këtyre shifrave është edhe më i dukshëm; spoti elektoral.

Berisha ka postuar që më 5 maj spotin me titull ‘Tepsia e Edi Ramës’ shoqëruar me lutjen për ta shpërndarë sa më shumë për ndjekësit. Por, nga 1.1 milionë ndjekës që ka vetëm 29 mijë e kanë parë, ose më pak se 3 për qind e tyre.

Të kapur kokë e këmbë nga oligarkët/ Çfarë

Për krahasim, Edi Rama ka postuar një ditë më vonë se Berisha një spot elektoral jo kombëtar, por që i drejtohet një audience të kufizuar; vetëm votuesve në tre bashkitë Memaliaj, Devoll dhe Divjakë. Pavarësisht se spoti nuk është kombëtar, ai ka tërhequr rreth 65 mijë shikime, ose dy herë më shumë se spoti kombëtar i Sali Berishës. / VoxNews.al

Video