
Arben Kraja lejoi dhënien e një tenderi të njëjtës kompani, që është hetuar për mospërmbushje të kontratës për një tender për respiratorë të dhënë gjatë nisjes së pandemisë. Për më tepër fituese u shpall e njëjta kompani për të cilën SPAK hetoi dhe GJKKO më pas dënoi me akuzën e shpërdorimit të detyrës ish-drejtorin e Radio Televizionit Publik Shqiptar, Thoma Gëllçin.
Bëhet fjalë për kompaninë TBS ’96 që është përzgjedhur në maj të vitit të kaluar dhe pa garë për tenderin me objekt “Shërbime për mirëmbajtjen e sistemit të përgjimit në Prokurorinë e Posaçme” për një periudhë dyvjeçare. Për mirëmbajtjen e sistemit të përgjimit, kjo kompani ka fituar 60 mln lek të reja.
Teorikisht, në rastin e hetimit dhe dënimit të Thoma Gëllçit, edhe kompania që fitoi tenderin me një vlerë prej 20 mln lekësh më shumë se oferta më e ulët, duhet të ketë qenë nën hetim nga SPAK. E sigurt është që nëse kompania në fjalë nuk ka qenë nën hetim në rastin e hetimit ndaj ish-drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së, ajo është paditur nga opozita në vitin 2020 për shkelje të një kontrate sekret për furnizimin e spitaleve me respiratorë në muajt e parë të pandemisë.
Përgjegjësia e Arben Krajës nuk është e drejtpërdrejt ligjore, se sa është më shumë morale. Si drejtues i SPAK ai nuk kishte në kompetencat e tij ndjekjen e procedurave, apo vlerësimin e ofertave për tenderat që organizon prokuroria e posaçme.
Kompetenca e drejtpërdrejt është e administratës civile të strukturës. Por, sipas ligjit të prokurorisë së posaçme, e gjithë struktura civile e saj përgjigjet para drejtuesit të SPAK, që në momentin e dhënies së këtij tenderi ishte Arben Kraja.
Me kompetencat si drejtues, Kraja ndoshta mund ta kishte parandaluar këtë tender, që pa i hyrë debatit të ligjshmërisë së tij lë një njollë të fortë në biografinë e SPAK-ut. Njollos strukturën e posaçme, që nga njëra anë kompaninë në fjalë e ka pasur nën hetim për shkelje të kontratave në tendera, nga ana tjetër i jep tender vetë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.