
Kompanitë Balfin Group, Mane TCI dhe Green Coast rezultojnë të implikuara jo vetëm në pastrimin e parave të ish zv Kryeministrit, Arben Ahmetaj, me dy vilat në Palasë dhe Valamar, por janë të përfshira edhe në veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Sipas dosjes së SPAK, më 8 mars 2023, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar për të ushtruar kontroll në vilën me numër me nr.73 në kompeksin Green Coast në Palasë.
Hetuesit kanë marrë kontakt me administratorin Martin Gega. Ky i fundit u ka vendosur në dispozicion punonjësen Klaudia Sinanaj. Nga ana e saj Klaudia Sinanaj u ka vendosur në dispozicion hetuesve një dokument që tregonte se vila 73 ishte në pronësi të kompanisë ‘Inerte Express’, me pronar shtetasin Mond Bega.
Ndërkohë, nga ana tjetër, punonjësja pranë Green Coast, Ervisa Maçovila, u ka vënë në dispozicion hetuesve një dokument që tregonte se vila nr. 73 ishte në pronësi të Albina Mançkas, ish bashkëshortja e Arben Ahmetajt.
Meqenëse kishte dy dokumenta të ndryshme për të njëjtën vilë, hetuesit u kërkojnë dy punonjësve Klaudia Sinanaj dhe Ervisa Maçovila që të mos bëjnë asnjë veprim në kompjutërat e tyre, pasi do të kryheshin veprime hetimore.
Punonjësja e Green Coast, Klaudia Sinanaj i ka sugjeruar në panik koleges së saj, Ervisës, që të fshijë nga kompjuteri dokumentin që tregonte se vila ishte e Albina Mançkës, duke penguar hetimet dhe me qëllim për të shpëtuar Albina Mançkën dhe Arben Ahmetajn nga përgjegjësia penale. Gjithashtu, punonjësja Erisa Maçovila ka fikur kompjuterin, duke u thënë se kompjuterin e kishte privat.
SPAK ka marrë në pyetje edhe administratorin Martin Gega, i cili ka gënjyer para hetuesve duke fshehur pronarin e vërtetë, Albina Mançka dhe nxjerr në skenë Mond Begën. Nga këqyrja e telefonit të Martin Gegës janë zbuluar kontaktet e tij me Albina Mançkën, si pronare e vilës 73.
Me këto lëvizje, punonjësit implikojnë drejpërdrejt kompaninë Green Coast dhe kanë vepruar për interesat e kësaj kompanie, pasi vetë nuk kanë pasur asnjë arsye personale për të zhdukur provat që tregonin se Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj ishin pronarë të vilës 73, që SPAK akuzon se është krijuar me para korrupsioni.
Veç kësaj, në dosjen e SPAK zbulohet gjithashtu se kompanitë kanë bërë kontrata fiktive edhe për të mbuluar vilën tjetër të Arben Ahmetajt në Valamar.
***
Shkrimi është marr me shkurtime nga portali Replika.al. Versionin e plotë mund ta gjeni KETU