
Asnjë surprizë, pronat e lakmuara shtetërore kalojnë te “miqtë” e qeverisë apo te ata që “punuan” gjatë zgjedhjeve.
Në disa investigime, VoxNews denoncoi dhe paralajmëroi se Rezidencat Qeveritare në Vlorë dhe Velipojë po shkonin në duart e oligarkëve pranë qeverisë.
Dhe, ashtu siç edhe ne paralajmëruam dhe denoncuam, Vila Qeveritare në Velipojë iu “fal” familjes së ish-depuetit Agron Çela, i cili ka ndërruar edhe ngjyrën e partisë, nga LSI-ja te PS-ja. Madje, në zgjedhjet e fundit, vajza e tij kandidoi nën siglën e PS-së.
Ndërkohë, Rezidenca aq e lakmuar te Uji i Ftohtë në Vlorë, iu dha firmës Edil Al, në pronësi të vëllezërve Dulaku. I gjithë konkursi i mbajtur në datën 4 qershor duket se ka qenë vetëm për shou, pasi fituesi dihej me kohë!
Foto më sipër është projekti që do të zbatohet në pronën aq të lakmuar te Uji i Ftohtë në Vlorë. Fitues doli bashkimi i operatorëve ekonomikë Edil – Al dhe Zdrava.
Në konkursin e mbajtur më datë 4 qershor, projekti i studiove “Abga”, “Precht” dhe “V10”, parashikon ndërtesa 8–10 katëshe, të lidhura me një pishinë.
Përfaqësuesi i firmës tha se do të ketë një gjurmë ë vogël ndërtimi”, por të ndërtosh 8 kate në një godinë shtetërore, “njolla” nuk duket aq e vogël.
Ndërkohë, në të njëjtën ditë, është shpallur edhe fituesi i konkursit për Rezidencën Qeveritare në Velipojë. Sërish asnjë surprizë, pasi fitues doli kompania Xhenis, në pronësi të familjes së ish-deputetit Agron Çela.
Madje, arkitekti që doli fitues tha se familja Çela ka një hotel në atë zonë, shumë afër rezidencës.
“E gjithë ndërtesa nuk duhet te jetë si kala, por njerëzit të kenë dëshirë të hyjnë ta shohin. Doja që kjo ndërtesë të jetë identitet me vete. Mendojmë të kemi 30 dhoma dhe të kemi infrastrukturë në hotelin tjetër. Kati i parë mund të jetë një pjesë publike që të jetë një ndërtesë për të gjithë njerëzit madje edhe hotelet e tjera ta përdorin” tha përfaqësuesi i studios “Saunders Architecture”.
Disa javë më parë, VoxNews denoncoi se një luftë e ashpër mes disa emrave me peshë në politikë dhe biznes pritej të zhvillohej për të tjetërsuar një nga pronat më të lakmuara në Shqipëri; godinat dhe territorin e Vilave Qeveritare te Uji i Ftohtë në Vlorë.
Korporata ka kualifikuar 4 nga 5 kompani, teksa emrat që do të garojnë duket se më tepër do të negociojnë sesa do të “garojnë” me njëri-tjetrin.
Ardian Kollozi, Alban Xhillari, Behxhet Pacolli kanë dërguar kompani satelitë për të konkurruar.
Firma e katërt që mori pjesë, që më pas doli edhe fituese, është ajo e vëllezërve Dulaku, ndërsa i vetmja kompani që nuk kaloi raundin e parë është ajo e Luan Bregasit.
“E katërta në radhë e kualifikuar është bashkimi i subjekteve shoqëria ‘Edil-Al-IT’ shpk & ‘Zdrava’. Firma e parë është në pronësi të vëllezërve Dulaku, të cilët operojnë në televizion, ndërtim dhe turizëm. Ata operojnë me ndërtime në Gjirin e Lalzit, në Vlorë apo edhe në Sarandë” do të shkruante redaksia jonë.
Por, çfarë do të administrojnë privatet?
Në janar 2025, VoxNews zbardhi dokumentet, ku shkruhej se ambientet në atë rezidencë përdoren shumë rrallë, duke u kthyer në pasuri të nënshfrytëzuara që ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për transformim dhe zhvillim ekonomik.
“Pronat ku do të zhvillohet ky projekt janë rezidenca qeveritare ‘Vila nr. 2’ me sipërfaqe 1.126 m2. ‘Vila nr.6’ me sipërfaqe ndërtese 332.48 m2 dhe ‘Vila nr.9’ me sipërfaqe 186.18 m2” shkruhet në dokumente.
Korporata shkruan se zona e Ujit të Ftohtë në Vlorë është rajon me rëndësi të veçantë natyrore dhe historike në Shqipëri dhe i pashfrytëzuar. “Ky projekt ofron një mundësi për të ndërthurur ruajtjen e trashëgimisë së përdorimit të këtyre rezidencave me adoptimin e standardeve më të avancuara të mikpritjes dhe menaxhimit të hapësirave luksoze” është justifikimi i kësaj agjencie.
Më tej sqarohet se sipërfaqja e konkursit është 1.644.7 m2, ku rezidenca është 6 km larg nga Vlora dhe 190 nga Tirana. Në ato ambiente do të bëhen hotele me 5 yje, duke tjetërsuar një nga pasuritë e radhës, pronën e lakmuar brenda rezidencave qeveritare te Uji Ftohtë në Vlorë.
Në një tjetër investigim, VoxNews do të hidhte dritë mbi kompanitë që tentuan të shtinin në dorë Rezidencën Qeveritare në Velipojë.
“Emri më i lakuar në Velipojë është ai i Agron Çelës. Kompania në pronësi të bashkëshortes së tij, Belma Çela, do të konkurrojë për rezidencën. Çela ka qenë deputet i LSI-së dhe tashmë ka kaluar me PS-në. ‘Xhenis’ shpk është në pronësi 100 % të Belma Çela, e cila është bashkëshortja e Agron Çelës, ish-deputet i LSI-së, që tashmë ka kaluar me PS-në. Familja Çela zotëron disa hotele luksoze në Shkodër dhe Velipojë, ku tashmë synon edhe Vilën Qeveritare. Në zgjedhjet e 11 majit, vajza e Agron Çelës është në listë të sigurt të PS-së në Shkodër” do të shkruante redaksia jonë.
Madje, ngritëm disa pyetje nëse kjo rezidencë është një “dhuratë” e Ramës për oligarkët e Shkodrës?
Nisur edhe nga konkurrentët, s’do mënd që kjo është një qokë e radhës.
Por, çfarë do të marrin privatët në Velipojë?
Në dokumente shkruhet se Vila Qeveritare në Velipojë ka një sipërfaqe 8.100 m2, e cila do të shndërrohet në një hotel butik.
Skema është e ngjashme me rezidencat në Vlorë, ku qeveritarët do të mbajnë disa suita dhe pjesa tjetër do të administrohet nga privati.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.