Dy drejtorët në 2015-ën u arrestuan se favorizuan firmën e tyre, në 2025-ën fitojnë tender nga Porti i Durrësit!

2 Qershor 2025, 14:35Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Çudia më e madhe në Shqipëri zgjat vetëm disa ditë apo javë, pasi skandalet e njëpasnjëshme as i lënë vend abuzimeve në të kaluarën. Por, në këto radhë, redaksia e VoxNews do të ndalet te një nga çështjet më të bujshme të ndodhura 10 vite më parë, në Portin më të madh të Shqipërisë.

Disa drejtorë, përfshirë edhe Administratorin e Autoritetit Portual të Durrësit u arrestuan në vitin 2015 për abuzime të mëdha me detyrën. Abuzimi ishte se ata favorizuan dukshëm në tendera dhe procedura kompaninë EMC, që ata ishin pronarë dhe aksionerë.

Prokuroria faktoi një dëm prej qindra mijëra eurosh, teksa çështja më pas u shfry në gjykata. Por, çfarë ndodh më pas në këtë Shqipërinë të vogël?!

Të dy ish-drejtorët e Portit të Durrësit, të arrestuar 10 vite më parë, vijojnë të fitojnë tendera me shumë zero po në Autoritetin Portual të Durrësit. Një çudi e madhe, si me zyrat e shtetit apo edhe me organet ligjzbatuese, pasi ende nuk është këputur ky zinxhir.

Dy drejtorët në 2015-ën u arrestuan se favorizuan firmën e

Dy drejtorët në 2015-ën u arrestuan se favorizuan firmën e
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit nga APD, drejtuar kompanisë EMC

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, Autoriteti Portual i Durrësit ka nxjerrë fitues kompaninë “EMC Engineering Maitenance Center”, me adresë në komunën Rrashbull. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje lefterakë elektrik për Terminalin e Autove”, me afat lëvrimi 9 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës.

Kriter i përzgjedhjes ishte oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim, teksa ofertë pati kompania “AON” në vlerën 17.400.000 lekë, pa TVSH. Ofertë kishte edhe kompania “EMC Engineering Maitenance Center”, me vlerë 174.400 EURO ose në lekë, 17.305.712 lekë, pa TVSH.

Dy drejtorët në 2015-ën u arrestuan se favorizuan firmën e
Faksimile: Pronar të kompanisë EMC janë Eduart Ndreu dhe Agron Çopja me nga 50 % të aksioneve

VoxNews shfletoi Qendrën Kombëtare të Biznesit ku rezulton se pronarë të kompanisë EMC janë z. Eduart Ndreu dhe z. Agron Çopja. Firma operon në fshatin Vrin, në Komunën Rrashbull në Durrës, teksa ka si objekt import, eksport dhe tregtimi me shumicë dhe pakicë i mjeteve, makinerive dhe pajisjeve industriale, pjesëve të tyre të këmbimit dhe të konsumit, baterive, karikuesve dhe pjesëve përkatëse, materialeve, pjesëve dhe sistemeve hidraulike, elektrike dhe elektronike, gomave, etj.

Gjithashtu, operon në transport, logjistikë, portual etj. Është përfaqësuese e disa firmave gjermane.

Kush janë pronarët e saj, Eduart Ndreu dhe Agron Çopja?!

Sipas raportimeve të mediave, Ndreu ka qenë drejtor për një kohë të gjatë i Portit të Durrësit. Ndërkohë, Çopja ka qenë një vartës i Ndreut, me detyrë drejtor i Shërbimeve Operacionale.

Dy drejtorët në 2015-ën u arrestuan se favorizuan firmën e
Eduart Ndreu

Në vitin 2015, të dy, si Ndreu dhe Çopja, gjatë kohës që ishin në detyrë në APD u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, pasi kishin përvetësuar shumën prej 230 milionë lekësh, duke krijuar një kompani private për mirëmbajtjen teknike të mjeteve mekanizmave dhe pajisjeve industriale në zotërim të APD-së.

“Tenderat për të cilët akuzohen ish-zyrtarët e APD-së janë fituar nga shoqëria ‘EMC’, e cila është themeluar në datën 16.04.2012, kohë kur personat e akuzuar ishin në funksione drejtuese në port” do të saktësonte organi i akuzës në atë kohë.

Por, koha kaloi dhe e njëjta firmë dhe të njëjtët njerëz, vijojnë të marrin miliona po nga Porti i Durrësit!

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video