Tenderët korruptiv të shëndetësisë; MSE përjashtohet sërish, mashtroi për të fituar 230 mijë euro në Shkodër!

28 Maj 2025, 22:13Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arbër Teqja

Tenderët e shëndetësisë janë dhënë në mënyrë korruptive.

Megjithëse gjithkush e di se paratë kanë shkuar dhe po shkojnë te një grup njerëzish, të lidhur ngushtë me pushtetin, tashmë është faktuar edhe me dokumente.

Një nga firmat më problematike është MSE, e cila ka fituar dhjetëra miliona euro nga spitalet apo edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Një firmë e cila ka qenë në pronësi të z. Arbër Teqja, i cili është djali i nëndrejtoreshës së QSUT-së, teksa ai ka bërë transaksione edhe me shtetas rusë, ku e ka shitur disa kohë më parë firmën.

VoxNews ka raportuar dhe investiguar edhe më herët këtë firmë, e cila ka mashtruar në një super tender në QSUT, me një vlerë prej më shumë se 800 mijë eurosh.

Për këtë procedurë ajo u përjashtua, teksa koha kaloi dhe autoritetet shtetërore kanë faktuar një tjetër mashtrim.

Kësaj herë, MSE ka përdorur të dhëna të rremë dhe ka mashtruar për të fituar një super tender në Spitalon Rajonal të Shkodrës.

Kësaj herë, ajo ka arritur të marrë plot 230 mijë euro, ndërsa vetëm këto ditë është zbuluar edhe mashtrimi i radhës.

Por, duke parë se ka kaq shumë dokumente që faktojnë se kjo firmë ka fituar me mashtrim miliona euro, ende s’kemi parë dhe dëgjuar që autoritetet ligjzbatuese të kenë nisur ndonjë hetim të mundshëm.

Abuzimet nuk mund të jenë kurrsesi vetëm të kësaj firme, por së pari duhen hetuar zyrtarët që ia kanë dhënë aforfe këto para kësaj firme.

Kush firmosi që MSE të fitonte me mashtrim miliona euro? Ku shkuan paratë?!

Tenderët korruptiv të shëndetësisë; MSE
Faksimile: Njoftimi i Agjencisë së Prokurimit Publik për përjashtimin sërish të firmës MSE për 1 vit nga tenderët

Natyrisht, paratë kanë qarkulluar te një grup personash, madje janë bërë edhe transaksione dhe hetime të mundshme të organeve ligjzbatuese mund të zbardhin edhe skemën.

Paraja lë gjurmë dhe mjafton që të shkohet te fundori dhe mund të vihen para përgjegjësisë jo vetëm drejtuesit e firmës, por edhe shtetarët që firmosën për t’ia dhënë këto para’.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë një njoftim në datën 22 maj 2025, teksa bën fjalë se ka nisur procedimin administrativ për përjashtimin e operatorit ekonomik "MSE" Shpk, nga e drejta për të fituar kontrata publike.

Kjo për shkak, thotë APP, për keqinformim për qëllime kualifikimi në procedurën e prokurimit loti 1, me objekt: “Mirëmbajtja full risk e pajisjeve mjekësore të prodhuesit Philips", me fond limit 23.108.800 lekë pa Tvsh.

Kjo procedurë është zhvilluar nga autoriteti kontraktor, Spitali Rajonal Shkodër në datë 7 maj 2024. “Arsyet e fillimit të procedimit administrativ ka nisur bazuar në shkresën datë 24.06.2024, plotësuar me shkresat datë 12.09.2024 dhe datë 27.09.2024, dërguar nga shoqëria ‘Health & Light’ shpk” thuhet në këto dokumente.

Më tej sqarohet se në përfundim të procedimit administrativ të nisur, u arrit në konkluzionin se ndodheshim në kushtet e nenit 78/1/a të LPP, ku parashikohet se: "Agjencia e Prokurimit Publik përjashton një operator ekonomik nga e drejta për të fituar kontrata publike për një periudhë nga 3 muaj deri në 3 vjet për keqinformim dhe dorëzim të dokumenteve, që përmbajnë të dhëna të rre?? për qëllime kualifikimi".

Për këtë arsye, APP ka vendosur të përjashtojë operatorin ekonomik "MSE" nga e drejta për të fituar kontrata publike, për 12 (dymbëdhjetë) muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Tenderët korruptiv të shëndetësisë; MSE
Faksimile: Investigimi i VoxNews i datës 17 shkurt 2025 për mashtrimin e MSE në fitimin e tenderëve në shëndetësi

Përjashtimi i majit 2025 nuk është i vetmi për MSE. Në shkurt 2025, VoxNews publikoi një investigim për tenderët e fituar po me mashtrim nga kjo firmë. “Përjashtohet 1 vit nga tenderët firma MSE, Arbër Teqja transaksione me shtetas rusë për të fituar tendera në QSUT” shkroi redaksia jonë, teksa në ato radhë ne denoncuam se firma MSE, ku dikur ka qenë pronar z. Arbër Teqja, djali i nëndrejtoreshës së QSUT-së Arjana Strakosha, u përjashtua pasi ka mashtruar pikërisht Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Një paradoks i madh, teksa me këtë vendim faktohet se spitali më i madh në vend ka bërë tendera të dyshimtë dhe të paracaktuar. Në datën 13 shkurt 2025 u vendos që të përjashtohet firma MSE nga tenderët, për paraqitje dokumentacioni me të dhëna të rremë, për qëllime kualifikimi në procedurën e prokurimit me objekt:

Mirëmbajtje e pajisjeve të mëdha mjekësore të prodhuesit Philips ose ekuivalent, prodhuesit Siemens dhe prodhuesit Toshiba dhe prodhues GE Healthcare për 24 muaj.

Bëhet fjalë për lotin 1, me objekt “mirëmbajtje e pajisjeve të mëdha mjekësore të prodhuesit Philis me fond limit 88.858.534 lekë, të datës 24 tetor 2023, të zhvilluar nga autoriteti kontraktor Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, më datë 30.11.2023.

Në atë kohë, VoxNews hulumtoi edhe dokumentet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku rezulton se në muajin qershor 2023 firma MSE ka ndryshuar formalisht pronarë.

Në këtë datë, janë bërë shënimet në QKB se është depozituar një dokument për transferimin e 80% të kuotave. “Kanë ndodhur ndryshimet e mëposhtme tek ortakët individ: është larguar ortaku Arbër Teqja". Kanë ndodhur ndryshimet e mëposhtme tek ortaket juridik: është shtuar ortaku ‘Cambridge Pathology B.V’. Numri i aksioneve 80 %, ku kontributi në para është 4.6 milionë lekë” thuhet në këtë dokument.

Në vitin 2023 janë bërë ndryshimet e pronarëve të firmës MSE. Në atë vit ortaku Teqja ia ka shitur një kompanie, me seli në Holandë. Në QKB shkruhet se Teqja ia shiti “Cambridge Pathology B.V”, ku pas kësaj firme qendrën në pronësi indirekte një shtetase Bullgare, Zoya Georgieva Gyurova.

Në të njëjtin dokument, në pikën b) shkruhet se pronësi indirekte ka edhe z. Nikita Vinogradov, shtetas rus i lindur në vitin 1991.

Pas këtyre shtetasve janë hedhur aludime se qëndron si Teqja ashtu edhe oligarkë të tjerë, të cilët për të kamufluar paratë publike deklarojnë pranë institucioneve shtetërore emra personash nga vende të tjera.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video