
Çifti Rrok dhe Vera Gega, të cilët janë pronarë të firmës “Rroku Guest”, janë shpallur fitues të një tenderi të majmë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Institucioni i drejtuar nga Gentian Gjyli ka shpallur në datën 23 prill 2025 fituesin e mirëmbajtjes së rrugëve turistike në qarkun e Shkodrës, rrugë të cilat më shumë qëndrojnë të bllokuara se sa të hapur!
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, fondi i mirëmbajtjes së rrugëve ishte 3.3 milionë euro, teksa synohet që rruga e Bogës, Thethit dhe Razmës të jenë të aksesueshme gjatë gjithë kohës. Por, mirëmbajtja e këtyre segmenteve ka qenë problematike në të kaluarën dhe është dashur ndërhyrja e ushtrisë për zhbllokimin.
Krahas kësaj problematike, ajo që bie në sy në gjithë këtë procedurë është fituesi, firma “Rroku Guest”, një firmë me dy dosje në Prokurorinë e Posaçme. Sipas informacioneve që disponon redaksia jonë, Rroku dhe Vera janë nën hetim për dy raste, dy tendera të Bashkisë së Tropojës, që i janë dhënë kësaj firme me “mik”. Në njërin rast bashkëpunoi me ish-kryetarin Rexhë Byberi dhe kryetaren e komanduar Zyra Islamaj.
VoxNews hulumtoi dokumentet e tenderit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ku në datën 23 prill shpalli firmat BOE “Rroku GUEST” & “DEHA 2010” fitues të një tenderi. Procedura kishte si objekt “kontrata punimesh dhe mirëmbajtje të rrugëve nacionale (kontratat e mirëmbajtjes), Rajoni Verior Shkodër”.
Bëhet fjalë për lotin 2, mirëmbajtje me performancë rruga “Koplik - Bogë, Bogë - Theth, Dedaj - Razëm” me një gjatësi totale 67.3 km. Vlera totale e tenderit ishte 329 milionë lekë. Ofertën më të ulët e kishte bashkimi i operatorëve ekonomikë “NDERTUESI 2014” & “VARAKU E” me vlerë 243 milionë lekë.
Ndërkohë, BOE “Rroku GUEST” & “DEHA 2010” ofruan 247 milionë dhe çuditërisht u shpallën edhe fitues. ARRSH-ja vendosi kritere të veçanta, me pikëzim, duke i dhënë më shumë pikë këtyre firmave, të cilat mposhtën konkurrentët.
Pak muaj më parë, në mars të vitit 2024, SPAK nisi hetimet për një tender për rikonstruksionin e disa urave në zonën e Tropojës. SPAK ka regjistruar një dosje penale me Nr.47, ku janë ngritur dyshime të forta se kompania “Rroku Guest” ka kryer punime fiktive. Hetimi ka nisur në muajin shkurt 2024, ndërsa SPAK ka kërkuar nga zyrtarët e bashkisë Tropojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që lidhet me procedurat e një tenderi publik me objekt “Ndërtim e rikonstruksion urash në bashkinë Tropojë”.
Bashkia e këtij qyteti ka shpenzuar një shumë prej 145 milion lekë të vjetra, të cilat janë arkëtuar në llogarinë bankare të kompanisë së ndërtimit “Rroku Guest”. Pagesa është kryer nga ana e Bashkisë Tropojë në 29 janar 2024, ndërsa regjistrimi i faturës së shitjes është kryer në 29 dhjetor 2023. Firma “Rroku Guest” është një firmë ndërtimi që ka fituar dhjetëra tendera publikë në disa bashki të zonës së veriut. Kompania administrohet tashmë nga Verë Gega, por për shkak të problemeve me drejtësinë pasi ai u dënua për mashtrim me faturat fiktive, “Rroku Guest” i kaloi me kontratë dhurimi bashkëshortes së tij, Verë Gega.
Ndërkohë, sërish “Rroku Guest” ka një dosje të dytë në SPAK, pasi Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj. Kanë nisur hetimet ndaj zonjës Islamaj, në lidhje me ndërtimin e një ure në fshatin Luzhë, të Tropojës. Islamaj, duke shpërdoruar detyrën, vendosi të ushtrojë pozitën e saj dhe të ndërtojë një urë personale për motrën. Rasti u denoncua nga Agim Demiraj, i cili më herët kishte shërbyer në detyrën e Teknikut të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Bashkinë Tropojë.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.