
Disa ditë më parë, Vox News denoncoi se dy firma të fuqishme me lidhje të forta politike, po konkurronin me njëra-tjetrën për kullën 40-katëshe në pronë shtetërore. Një investim tërësisht privat, ku shteti në këmbim të truallit merr një përqindje nga ndërtimi. Por të dyja firmat që u kualifikuan dhe kishin interes, si Arbër Abazi dhe vëllezërit Dulaku janë tërhequr në mënyrë të beftë, duke “detyruar” Korporatën që t’a rishpallë.
Dy janë mundësitë; ose vërtet dy firmat nuk kanë interes ose po tentojnë që të “negociojnë” për të përfituar sa më shumë ndërtim. Zona ku do të ngrihet 40 katëshi është në afërsi të zonës së 21 Dhjetorit, atje ku sot ka godinën Agjencia e Pronave, IKMT-ja apo edhe një pjesë Inxhinieria e Ndërtimit. Një nismë e të ashtuquajturës Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila po tenton që godinat historike dhe ikonike të Tiranës të tjetërsohen dhe t’i kalojnë privatit.
VoxNews ka ndjekur në vijimësi këto projekte, që nga shpallja e projektit, te kualifikimi dhe tani në fund anulimi. Sipas njoftimit (më sipër), Korporata shkruan se bëhet fjalë për ndërtimin dhe menaxhimin e godinës së Kadastrës Shqiptare, nëpërmjet sipërmarrjes “LIFT Tower”.
“Ky njoftim ju komunikon vendimin e Korporatës për anullimin e procedurës konkurruese të nisur më 20 nëntor 2024 për përzgjedhjen e një Partneri Privat për zbatimin e kontratës ‘zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i LIFT Tower’. Arsyeja për anullim është: asnjë prej aplikantëve të ftuar nuk paraqiti ofertë për Fazën II të procedurës brenda afatit për dorëzimin e ofertave të përcaktuar në Ftesën për Ofertë”, thuhet në dokument.
Në datën 17 prill 2025, Vox News denoncoi një tjetër projekt të Korporatës së Investimeve Shqiptare me titull; “Nipi i Sadri Abazit dhe Dulakët në ‘garë’ për kullën 40-katëshe në pronë publike te 21 dhjetori në Tiranë”.
Redaksia jonë hulumtoi disa dokumente, ku para shpalljes së fituesit, Korporata e Investimeve Shqiptare, mbajti një takim sqarues para kualifikimit për “LIFT Tower”.
“Bëhet fjalë për disa kulla në zonën e 21 dhjetorit, në vendin ku është aktualisht Agjencia e Trajtimit të Pronave apo edhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Gjithashtu, pjesë e projektit është edhe një pjesë e Inxhinierisë së Ndërtimit. Takimi ishte me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të aplikantëve të interesuar shoqëria ‘EDIL AL IT’ shpk dhe shoqërisë ‘Alko Impex’ shpk”, denoncoi Vox News.
Ajo që lexohej nga ky dokument ishte “kalimi” i Arbër Abazit në ndërtime shumëkatëshe, teksa nga biznesi i pistë, por fitimprurës i pastrimit, donte të kalonte në biznesin e ndërtimit. Madje, në një pronë shtetërore.
“Nëse deri më tani ka fituar tendera në pastrim, por edhe në rikonstruksione e shtrime sheshesh, tashmë Abazët do të kalojnë te kullat, atje ku të gjithë ndërtuesit kanë gjetur ‘parajsën’, me fitime të garantuara, për shkak të rritjes së çmimit për metër katrorë”, thuhej në shkrim.
Dy firmat pyetën në atë takim nëse mund të ndryshohej projekti, teksa Korporata shkruante se “po, në këtë fazë ju vihet në dispozicion vetëm koncept-idea, e cila do të negociohet me subjektin fitues, do të analizohet dhe detajohet projekti”. Pyetja e radhës dhe me spec e firmave ishte se si mund të vlerësohet në vlerë monetare pjesa takuese e Korporatës tek LIFT Tower. “Llogaritja në vlerë monetare bëhet sipas VKM 137, e ndryshuar në 2024. Këto projekte po zhvillohen për shkak të interesit publik”, thuhej në përgjigje.
Çfarë do të bëhet në atë vend?
Mësohet se Korporata do ta rishpallë sërish atë projekt. Sipas dokumenteve, te 21 dhjetori do të bëhet një godinë 40-katëshe. Projekti realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti. Pritet që Kadastra të marrë një përqindje ndërtimi, ndërkohë që pjesa tjetër do t’i jepet privatit. Pra, për një kullë 40-katëshe, ku do të ndërtohen mijëra metra katrorë, ku çmimi në atë zonë po shkon deri në 3 mijë euro m2, shteti pritet të marrë vetëm ato metra katrorë që ka aktualisht Kadastra. Ose diçka më pak apo më shumë, ku ende nuk dihen zyrtarët të cilët do të negociojnë.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016