“Gabime në dokumente”, Agolli i FSHZH-së anulon tenderin 1.3 milionë euro për Polin e Festivaleve në Korçë

22 Prill 2025, 12:11Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dritan Agolli

Një tjetër skandal ka përfshirë Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në një nga projektet e kota që po ndërmerr në gjithë vendin.

Pas tallavasë, disa parqeve ku nuk luajnë fëmijë apo zip line privat për biznesmenët, radha i ka ardhur ndërtimit të disa strukturave për festivale.

Me dy procedura të ndara, FSHZH-ja ka akorduar rreth 4.7 milionë euro për “Polin e Festivaleve dhe Industrisë Kreative” në Drenovë, Korçë.

Fituesi i tenderit të madh, me vlerë 3.3 milionë euro është shpallur, teksa procedura e dytë me vlerë rreth 1.4 milionë euro është anuluar.

Por, vetë Dritan Agolli i Fondit pranon se në tenderin e dytë ka pasur “gabime të mëdha në dokumente”.

Madje, shkruan se Kadastra i ka kthyer përgjigje dhe disa parcela kanë probleme pronësie.

Por nëse ka probleme pronësie, si u bë tenderi i parë i lartë? Dhe më keq akoma, përse vijoi me procedurën e dytë?

Duket se paratë nuk janë problem për Fondin, i cili akordon javë për javë miliona euro, me procedura tepër të dyshimta dhe në favor të oligarkëve dhe politikanëve.

Madje, ka pasur akuza se Agolli i ka dhënë tendera disa biznesmenëve për favore të familjarëve, raste të denoncuara në vijimësi edhe nga VoxNews.

“Gabime në dokumente”, Agolli i FSHZH-së anulon tenderin
Faksimile: Njoftimi i FSHZH-së për anulimin e tenderi me vlerë 134 milionë lekë për shkak të gabimeve në dokumente

Dokumenti i mësipërm, i siguruar nga VoxNews, është publikua në Agjencinë e Prokurimit Publik nga FSHZH-ja, ku njofton se ka anuluar tenderin me objekt “përmirësimi i transportit lokal dhe urban me ndërhyrje në rrugë dhe trotuare”.

Bëhet fjalë për lotin 6 me objekt “ndërtimi i godinave dhe parkut të polit të festivaleve dhe industrisë kreative” në Drenovë, Korçë, infrastruktura 1.

Fondi i procedurës ishte 134,660,922 lekë pa TVSH, teksa financimi i këtij objekti është parashikuar në programet buxhetore për periudhën 2025-2027. Arsyet e anulimit, thotë Fondi, është për shkak se “konstatohen se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”.

Është dhënë edhe një informacion shtesë, ku thuhet se “sipas informacionit zyrtar të institucionit të Kadastrës mbi statusin juridik të disa parcelave, të cilat preken nga investimi, projekti aktual ka nevojë për rishikim”.

Por si u bë projekti pa marrë më parë një vlerësim nga Kadastra?

Kush e bëri projektin dhe a mban ndokush përgjegjësi?

Deri më tani janë shpenzuar miliona lekë për projektet, dokumentet dhe vëzhgimit në terren. Kush mban përgjegjësi?

Tashmë do të duhet që dokumentet të bëhen nga e para, ku do të paguhen para’ të tjera!

“Gabime në dokumente”, Agolli i FSHZH-së anulon tenderin
Faksimile: FSHZH ka finalizuar para pak ditësh një tjetër tender në Drenovë, ku ka shpallur fituesin e një tenderi me vlerë 333 milionë lekë

Por nëse procedura e fundit u anulua, Fondi ka ecur para me një tjetër tender në atë zonë. Pyetja që lind natyrshëm është se a janë në rregull dokumentet? Bëhet fjalë për të njëjtin vend, në Drenovë ku në një tender ka probleme pronësie dhe në një tender tjetër shpallet fituesi.

“Gabime në dokumente”, Agolli i FSHZH-së anulon tenderin
Faksimile: FSHZH ka finalizuar para pak ditësh një tjetër tender në Drenovë, ku ka shpallur fituesin e një tenderi me vlerë 333 milionë lekë

Para pak ditësh, fitues i tenderit të madh u shpall firma “DION-AL” me subjekt mbështetës “ARKIMADE”.

E njëjta procedurë, “ndërtimi i godinave dhe parkut të “Poli i Festivaleve dhe Industrisë Kreative” Drenovë, Korçë.

Firmat fituese ofruan 232 milionë lekë, teksa pati edhe oferta më të ulëta por u skualfikuan.

Fondi ka shpejtuar edhe të lidhë kontratën me këto subjekte, ku pritet të fillojë puna. Ka dyshime të forta se edhe vlera e tenderit të anuluar ishte destinuar të shkonte te këto firma.

Duket se vendimmarrja e Agollit është bërë e kushtëzuar nga “preferenca” për firmën që doli fituese e tenderit të madh.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Video