Përgjime me negocime, Prokuroria e Përgjithshme i jep miliona pa garë firmës italiane për mirëmbajtje sistemi

5 Maj 2025, 14:01Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Disa institucione janë vënë në “garë” se kush përgjon më shumë, që nga BKH-ha, SPAK-u, Policia e Shtetit, Garda e Republikës apo edhe Prokuroria e Përgjithshme. Në gjithë këto institucione ka pajisje dhe sisteme që arrijnë të përgjojnë këdo, teksa kohët e fundit është “liberalizuar” gjithçka, kur më parë përgjimet kryheshin me vendime gjykate.

Një nga institucionet që një sistem të mirëfilltë përgjimesh është Prokuroria e Përgjithshme, ku disa hetues qëndrojnë në katin e fundit të godinës në zonën e 9 katësheve. Në intervale kohore të ndryshme, organi qendror i akuzës bën tendera për sisteme dhe mirëmbajtje.

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, procedurat e kryera në vitin 2022 dhe të vitit 2025 janë bërë vetëm me negocime me firmën private. Pra, paratë e akorduara kanë shkuar për një firmë italiane, pa u hapur një garë e mirëfilltë. Firma “IPS”, në vetëm 2 procedura ka marrë plot 1.1 milionë euro.

Përgjime me negocime, Prokuroria e Përgjithshme i jep miliona pa
Faksimile: Procedura e kryer nga Prokuroria e Përgjithshme për mirëmbajtje sistemi në vitin 2025

Sipas dokumentit të mësipërm, organi qendror i akuzës ka shpallur formalisht fituesin e një procedure mirëmbajtje, teksa paratë i janë dhënë firmës italiane “IPS”, me seli në qytetin e Romës në Itali.

Procedura e prokurimit është “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, çka do të thotë se zyrtarët e prokurorisë vetëm sa kanë negociuar çmimin që donte firma italiane. Objekti i kontratës është “mirëmbajtje te sistemit të përgjimit, rinovim me pajisje, instalim, implementim” për Prokurorinë e Përgjithshme me një afat kohor tre vjet.

Nisur edhe nga procedura, këtu s’bëhet fjalë për tender por për dhënie parash afrofe. Ose më saktë sa ka kërkuar firma italiane, e cila për mirëmbajtjen do të marrë plot 660 mijë euro.

Përgjime me negocime, Prokuroria e Përgjithshme i jep miliona pa
Faksimile: Vlera e tenderit në vitin 2022 ka qenë 435 mijë euro

E njëjta procedurë, sipas dokumenteve që disponon VoxNews, është realizuar edhe në vitin 2022. Sërish me “negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”.

Objekti para 3 vitesh ka qenë “mirëmbajtje e sistemit të përgjimit të komunikimeve elektronike” për Prokurorinë e Përgjithshme, sërish me një afat kohor prej 3 vitesh. I njëjti fitues, firma “IPS” S.p.A nga Italia. Vlera që mori në atë kohë ishte 435 mijë euro.

Nëse do të bëjmë një krahasim të vlerës së këtij vitit me atë të vitit 2022 rezulton se kjo aktualja është plot 225 mijë euro më shumë. Ose mbi 30 % të vlerës më shumë se kjo aktualja. Negocimet për kontratën e fundit duket se s’kanë qenë shumë të leverdishme për organin qendror të akuzës, pasi kanë “humbur” një shumë të majme.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video