
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është kthyer në një minierë ari, teksa drejtuesit e saj kanë dorë të lirë në shpenzime.
I tillë është edhe supertenderi i hapur ditët e fundit, për berje pajisje elektronike.
Duket se, klientët dhe firma të ndryshme kanë krijuar klane, qoftë edhe me lidhje politike, për të marrë paratë nga ky institucion.
Madje, ka pasur edhe lufta mes firmave të ndryshme, teksa i janë drejtuar edhe Komisionit të Prokurimit Publik, ku kanë akuzuar njëra-tjerën.
Por, deri më tani nuk ka pasur ndonjë njoftim për hetim të mundshëm nga organe të tjera, qoftë ligjzbatuese apo edhe Prokuroria e Posaçme.
Kjo “heshtje” ka sjellë që AKSHI të hapë tendera javë për javë, duke prokuruar miliona euro.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, AKSHI ka hapur ditët e fundit një supertender, ndër më të mëdhatë e prokuruar ndonjëherë.
Mësohet se objekti i procedurës së prokurimit është “pajisje të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për përdorim zyre”.
Nisur edhe nga objekti, duket se bëhet fjalë për pajisje të teknologjisë së fundit për zyrat dhe zyrtarët shtetërore.
Hidhen dhjetëra miliona euro vetëm e vetëm që zyrtarët të ndihen komod!
Vërtetë mund të bëjnë kaq shumë punë?! Dhe, më e rëndësishmja, a mund t’a justifikojnë shumën e madhe të prokuruar?
Në dokumente shkruhet se fondi limit është me plot 10 shifra.
“Fondi limit i procedurës është 1,595,729,257 lekë” thuhe në dokumente. Nëse do e konvertojmë në euro, shuma shkon në mbi 16 milionë euro. Një shifër e frikshme vetëm për këto pajisje.
Tenderi është publikuar në datën 4 qershor, ndërkohë që kërkohen “pajisje të dryshme kompjuterike”, por pa specifikuar se për cilin institucion apo edhe për cilët zyrtarë do të shkojnë.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.