Farsa e Këshillit në Sarandë/ Oltion Çaçi i bën qokën Tan Agollit: Vila Qeveritare kthehet në hotel dhe restorant!

31 Maj 2025, 09:45Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tan Agolli dhe Oltion Çaçi

Këshilli Bashkiak i Sarandës i ka bërë një qokë të madhe kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, biznesmeni Oltion Çaçi dhe kreu i Këshillit, përmbaruesi Asaf Stroka, kanë këmbëngulur që Vila Qeveritare t’i kalojë formalisht FSHZH-së, pavarësisht se vendimi ishte marrë kohë më parë.

Këshilli miratoi sot që godina dhe sipërfaqja e stërmadhe e Vilës Qeveritare të shndërrohet në një restorant dhe hotel luksoz, duke i falur oligarkëve të zonës të gjithë territorin.

Por, si u bë kjo farsë?! Në shkurt të vitit 2025, VoxNews denoncoi se Tan Agolli i FSHZH-së po e kthente territorin e vilës qeveritare në Sarandë në një pronë private për “klientët” e tij. Madje, hapi edhe tenderin e majmë prej 4 milionë eurosh. Fituesi i procedurës duhet të jetë shpallur në muajin mars, pavarësisht se deri më tani s’është publikuar.

Dhe, çfarë bën Këshilli Bashkiak? Merr vendim që t’ia japë territorin FSHZH-së! Ku e dinte Tan Agolli që Çaçi dhe Stroka do të votonin në favor të tij? Tenderi u hap në shkurt, në mars u shpal fituese dhe vetëm tani, në fund të majit terriori do t’i jepet FSHZH-së!

Farsa e Këshillit në Sarandë/ Oltion Çaçi i
Faksimile: Marrëveshja që u miratua në datën 30 maj në Këshillin Bashkiak të Sarandës

Një farsë e stërmadhe, ku për të mbuluar abuzimet dhe ndonjë hetim të mundshëm, Agolli dhe Çaçi përdorën Këshillin Bashkiak të Sarandës.

Përse nuk u mor vendimi para shpalljes së tenderit? Përse tani “pas pilafit”? Duket se, tashmë në mandatin e katërt drejtuesit e pushtetit qendror dhe lokal janë vetëshpallur pashallarë dhe mund të vendosin që pronat shtetërore të falen dhe t’i jepen privatit.

Farsa e Këshillit në Sarandë/ Oltion Çaçi i
Faksimile: Marrëveshja që u miratua në datën 30 maj në Këshillin Bashkiak të Sarandës

Por a i lexuar këshilltarët dhe kryetari përmbarues se çfarë kishte projekt vendimi? Besoj se jo, pasi kanë votuar symbyllur. Natyrisht kanë pasur informacione për tjeërsimin e godinës dhe të territorit, por “urdhri” duket se erdhi nga shumë lart. Aq lart sa, edhe këshilltarët e opozitës e votuan pro tjetërsimit.

Farsa e Këshillit në Sarandë/ Oltion Çaçi i
Faksimile: Marrëveshja që u miratua në datën 30 maj në Këshillin Bashkiak të Sarandës

Në vetë vendimin që shkoi në Këshill lexohet se “do të bëhet hotel, restorant dhe pishinë”. Por, kush do t’i marrë?! Kujt ia kanë premtuar këtë resort Agolli, Çaçi apo edhe vetë përmbaruesi Stroka?!

Farsa e Këshillit në Sarandë/ Oltion Çaçi i
Në foto: Hoteli, restoranti dhe pishina që do të ndërtohen me paratë e shtetit

Çfarë do të bëhet në vilën qeveritare në Sarandë? Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, rezulton se një sipërfaqe prej 3 hektarësh pronë shtetërore, “ndërtuesi” Agolli do të ndërtojë restorant dhe hotel luksoz me paratë e shtetit. Një nismë kurajoze, pasi me këtë veprim tjetërson një truall ende të paprekur në qytetin bregdetar, i cili dita-ditës vetëm po betonohet.

Në shkurt u hap tenderi me objekt “investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit”. Bëhet fjalë për lotin 3, “poli i zhvillimit turistik në Sarandë - faza 1”.

Farsa e Këshillit në Sarandë/ Oltion Çaçi i
Në foto: Hoteli, restoranti dhe pishina që do të ndërtohen me paratë e shtetit

Është një kontratë me “çelësa në dorë”, teksa fondi limit është plot 379.176.241 lekë pa TVSH. “Në këtë zonë ndodhet një vilë e cila kishte përdorim gjatë periudhës komuniste. Vila qeveritare e ndodhur në ‘Kodrën e Gjashtës’ në Sarandë përfaqëson një nga ndërtimet më të rëndësishme të periudhës socialiste në Shqipëri. E vendosur në një nga pikat më strategjike dhe panoramike të qytetit, kjo vilë përbën një dëshmi të gjallë të arkitekturës dhe estetikës që karakterizonte ndërtimet e asaj periudhe”, thuhet në këto dokumente.

Farsa e Këshillit në Sarandë/ Oltion Çaçi i
Vila qeveritare në Sarandë

Agolli i ka idetë e qarta, pasi në atë zonë ai ka synimin që ta kthejë në një zonë private, duke ndërtuar hotel dhe restorant tepër luksoz. Në nivelin dy shkruhet se do të bëhet një objekt qeveritar, restorant dhe hotel.

“Do të ketë funksionalitet i objektit qeveritar. Restorant i integruar në terren. Hotel si rezidencë për artistët dhe vizitorët e zonës. Në nivelin 2 të projektit, fokusi është vendosur në zhvillimin e funksioneve të ndryshme kulturore, sociale, dhe akomoduese, të cilat krijojnë një ekosistem të integruar shërbimesh dhe aktivitetesh. Ky nivel është konceptuar për të qenë një qendër dinamike që mbështet krijimtarinë, kulturën dhe ndërveprimin social, duke kombinuar hapësira të brendshme dhe të jashtme të menduara me kujdes” thuhet në dokumente.

Sipas saj, vila qeveritare do të ruajë identitetin e saj historik, ndërsa transformohet për të përmbushur funksione bashkëkohore.

“Një restorant i vendosur në një mjedis të natyralizuar, i cili ofron përvoja kulinare të lidhura me traditën dhe produktet lokale. Kjo hapësirë do të jetë një atraksion i veçantë për vizitorët dhe një pikë takimi për artistët, studentët dhe komunitetin. Në këtë zonë do të ndërtohet një strukturë akomoduese me konceptin e apart-hotelit, e cila do të funksionojë si rezidencë për artistët, nomadët digjitalë, studentët dhe turistët. Hapësirat e saj do të jenë të disponueshme gjatë gjithë vitit dhe do të përfshijnë zona të veçanta për aktivitete dhe shërbime outdoor, duke mundësuar relaksim dhe frymëzim kreativ në një ambient unik”, shkruan Fondi.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video