Armand Lilo, ndërtuesi i ‘Syrit të Tiranës’ që kapi edhe Gjykatën Kushtetuese

1 Tetor 2022, 16:28Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kulla “Syri i Tiranës” dhe Armand Lilo (djathtas)

Për të bindur qytetarët se e ka seriozisht me aksionin për konfiskimin e ndërtimeve dhe shtesave pa leje nëpër pallate, Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një mori shkresash, ku fajëson drejtësinë se nuk ka mbështetur IKMT-në dhe Policinë e Shtetit.

Në një shkresë tregohet se si kompania ‘Ideal Construction’ ishte gjobitur dhe urdhëruar prishjen e kateve shtesë pa leje në pallatin që po ndërton në qendër të Tiranës, njohur si ‘Syri i Tiranës’.

Për rastin është referuar për ndjekje penale administratori i kompanisë. Por, nuk është administratori ai që ka korruptuar IKMT, Polici e drejtësi për të shkelur lejen. Këtë, sipas asaj që ka deklaruar vetë Rama pas nisjes së aksioni, e bëjnë ndërtuesit.

Ndërtuesi në këtë rast është biznesmeni Armand Lilo. Ai fshihet pas kompanisë ‘Ideal Construction’ dhe ‘Arlis Ndërtim’. Për të fshehur gjurmët te ‘Ideal Construction’, Lilo ka krijuar në mars të 2020, pra në mes të pandemisë kompaninë Amaar Group. Kjo e fundit zotëron 100 për qind aksionet e ‘Ideal Construction’, ndërsa Armand Lilo 100 për qind aksionet e Amaar Group.

Por, pse duhej të fshihej në pranverën e 2020 dhe në kohë pandemie pas një kompanie tjetër biznesmeni Lilo? Arsyeja është vetëm një. Vjeshtën e 2019-s, emri i tij u lakua për lidhjen me ish-prokurorin Besnik Muçi, i zgjedhur edhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por i shkarkuar nga vettingu.

Arsyeja e shkarkimit të tij ishte kontakti me biznesmenin Armand Lilo, që nga nga organet e vettingut u cilësua si ‘kontakt i papërshtatshëm’. Për sqarim, me kontakt të papërshtatshëm vettingu nënkupton kontaktet me persona të dyshuar, akuzuar, hetuar apo dënuar për lidhje me krimin e organizuar, pjesëmarrje në trafiqe apo krime të tjera të rënda.

Nga hetimi i pasurisë së Besnik Muçit doli që ish-prokurori dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese i detyrohej 21 mijë euro biznesmenit Armand Lilo, të cilit i kishte blerë një shtëpi. Muçi deklaroi se nuk e kishte hetuar asnjëherë Lilon dhe tha se ai ishte taksapaguese dhe punëdhënësi më i madh i Bashkisë së Tiranës.

Megjithatë, gjatë seancave të vettingut u ngritën dyshime se Armand Lilo ka përdorur Besnik Muçin për të mos hapur, apo mbyllur problemet që mund të kishte me drejtësinë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video