Kastrati, mbi 300 mln euro fitime nga Aeroporti i Rinasit

21 Shtator 2022, 13:02Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kastrati dhe Aeroporti i Rinasit

Shefqet Kastrati do të mbyllë koncesionin e Aeroportit të Rinasit me një fitim neto prej 300 milionë eurosh. Shifra del nga përllogaritja e përafërt bazuar në bilancet e dorëzuara nga kompania koncesionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Sipas këtyre bilanceve, pa u mbushur ende dy vitet e para, Kastrati ka ndarë si divident rreth 34 milionë euro, që do të thotë 17 milionë euro fitim vjetor. Bilanci pozitiv është regjistruar në vitet më të këqija për transportin ajror, ku për muaj me radhë fluturimet u pezulluan, apo kufizuan prej pandemisë së Covid-19. Me heqjen e këtyre kufizimeve, fitimet vjetore të Kastratit mund të shkojnë deri në 30 milionë euro.

Gjithsesi, po të marrim një mesatare vjetore fitimi prej 20 milionë eurosh dhe ta shumëzojmë me 15, aq vite sa është koncesioni që përfundon në 2035-n, aeroporti do t’i sigurojë Kastratit 300 mln euro vetëm fitime. Shifra është me shumë se dyfishi i asaj të raportuar në dhjetëvjeçarin nga 2009 deri në 2019, ku i njëjti koncesion arkëtonte rreth 130 milionë euro fitime neto.

Shefqet Kastrati bleu nga kinezët në fund të 2020 koncesionin e Aeroportit të Rinasit për 71 milionë euro, ndërsa së fundmi ja shiti vetes për 45 milionë euro. Duke i shtuar kësaj shume edhe 33 mln eurot e fitimeve, rezulton se koncesioni ka tejkaluar me 7 mln euro koston e blerjes.

Në fillim të 2021, Qeveria e zgjati afatin me 13 vite duke u bazuar në një raport të dyshimtë auditi që tregonte se sa dëm i kishte bërë koncesionin pandemia e Covid. Zgjatja e kontratës u bë me detyrimin që Shefqet Kastrati të investojë në zgjatjen e pistës, ndërtimit të dy rrugëve të reja hyrje-daljeje për në aeroport dhe investime të tjera.

Kontrata thotë se koncesionari merr përsipër investime prej 100 milionë eurosh në aeroport, shifër që vihet në dyshim nisur nga kostoja reale e punimeve që listohen në të njëjtën marrëveshje. Për më tepër, edhe njëra prej rrugëve hyrëse për në aeroport po financohet nga buxheti i shtetit përmes Autoritetit Rrugor Shqiptar.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video